Një incident i dhunshëm është regjistruar më 3 nëntor në lagjen Draçevë të Shkupit, ku një 27-vjeçar ka sulmuar fizikisht disa udhëtarë në një autobus të transportit publik, si dhe shoferin e autobusit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20, kur i dyshuari fillimisht ka sulmuar disa pasagjerë dhe më pas edhe shoferin, nga i cili është përpjekur t’ia marrë edhe telefonin celular.
Pas kësaj, 27-vjeçari ka zbritur nga autobusi dhe ka dëmtuar një veturë të parkuar.
Por incidenti nuk ka përfunduar me kaq. Me të mbërritur në vendngjarje, policia është përballur gjithashtu me dhunë, pasi i dyshuari ka sulmuar fizikisht edhe zyrtarët policorë.
Policia ka arrestuar 27-vjeçarin me inicialet A.M. nga Shkupi, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit pritet të ndërmerren masa ligjore.
