Nga qendrat urbane te fshatrat e largëta, Meidani vlerësohet për përkushtimin ndaj gjuhës shqipe

Angazhimi i ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, për mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe promovimin e vetëdijes kombëtare ka marrë vlerësime të shumta nga qytetarët, pas aktivitetit të tij të fundit në Jabollçishten e Poshtme dhe Jabollçishten e Epërme të Komunës së Çashkës. Komentet në postimin e ambasadorit, ku ai publikoi pamje nga shpërndarja e abetareve për nxënësit e klasave të para të shkollës fillore “Liria”, shprehin mirënjohje dhe respekt për atë që qytetarët e konsiderojnë një angazhim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në mesin e reagimeve, qytetarët e Çashkës dhe shqiptarë nga vende të ndryshme e kanë cilësuar Meidanin si një përfaqësues dinjitoz të shtetit shqiptar, duke vlerësuar praninë e tij në komunitetet shqiptare dhe përkushtimin për çështje që lidhen me gjuhën, arsimin dhe identitetin kombëtar. “Respekte për ambasadorin shqiptar, i vetmi që është duke bërë për kombin shqiptar”, thuhet në njërin prej komenteve, ndërsa një tjetër e cilëson atë si ambasadorin e parë që, me punën e tij, i bën shqiptarët krenarë.

Vlerësimet shkojnë edhe më tej, duke e përshkruar Meidanin si “përfaqësues të denjë të shtetit shqiptar në RMV, me një prezencë të fuqishme dhe vepra të mëdha”. Një koment tjetër thekson se ambasadori ka ngritur pritshmëritë për përfaqësimin diplomatik shqiptar në vend, deri në atë pikë sa pasardhësit e tij do ta kenë të vështirë të ruajnë të njëjtin nivel angazhimi.

Aktiviteti në Çashkë vjen pas një vizite të ngjashme në Nerovë të Krushevës, ku ambasadori Meidani gjithashtu shpërndau abetare për fëmijët shqiptarë. Në Jabollçishten e Poshtme dhe atë të Epërme, ai ishte i shoqëruar nga drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Besnik Emini, dhe kryetari i Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri.

Back To Top