Deklarata e njërit nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasamit se Edi Rama e kritikon VLEN-in më shumë se Ali Ahmetin dhe BDI-në nuk mbështetet me deklaratë apo citat publik të verifikueshëm. Në burimet publike të kontrolluara nuk rezulton të ketë deklaratë ku kryeministri shqiptar e kritikon VLEN-in me emër ose në mënyrë të drejtpërdrejtë. Rama ka shprehur qëndrime politike për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ka folur me vlerësime për Ali Ahmetin, por kjo nuk është e njëjtë me kritikë eksplicite ndaj VLEN-it. Prandaj, deklarata e Kasamit e zhvendos debatin nga faktet e verifikueshme te interpretimet politike e tij për raportet mes Ramës, Ahmetit dhe BDI-së, shkruan Portalb.mk.
Bashkëkryetari i koalicionit VLEN dhe kryetar i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në emisionin “Click plus” në TV21 më 13 maj 2026, tha se sulmet e koordinuara nga Tirana, si nga zyrtarë, analistë dhe artistë, janë të lidhura me relacionet personale të Tiranës zyrtare me përfaqësuesit politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se Tirana më në fund po reagon për çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por, sipas tij, me 20 vite vonesë.
Spin:
“Sikur Edi Rama mos ishte sjellur emocionalisht përballë Ali Ahmetit dhe BDI-së, sikur t’i kishte kritikuar 10% sa na kritikon neve, sigurisht se edhe Ali Ahmeti dhe BDI do të ishin më të kujdesshëm… Raportet Shqipëri-Maqedoni e Veriut nuk duhet të shihen në prizmin personal dhe emocional të Ramës.”
Burimi: Bilall Kasami, bashkëkryetar i koalicionit VLEN, në emisionin “Click plus” në TV21.
Kundërspin:
Problemi kryesor në deklaratën e Kasamit është se ai e paraqet si fakt të kryer se Edi Rama “e kritikon” VLEN-in, por nuk ofron as edhe një citat konkret ku kryeministri shqiptar e ka kritikuar këtë koalicion me emër ose në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Kasami bashkon disa kategori të ndryshme: Edi Ramën, Tiranën zyrtare, zyrtarë nga Shqipëria, analistë, artistë, polemika mediatike dhe raportet Rama–Ahmeti. Mirëpo, këto nuk janë e njëjta gjë. Nëse një analist nga Tirana kritikon VLEN-in, kjo nuk është automatikisht kritikë e Ramës. Nëse një zyrtar tjetër nga Shqipëria përfshihet në debat, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se po flet në emër të kryeministrit shqiptar.
Ky dallim është thelbësor. Kasami nuk flet vetëm për reagime nga Tirana ose nga figura publike në Shqipëri; ai e lidh këtë drejtpërdrejt me Edi Ramën dhe me raportin e supozuar personal e emocional të Ramës ndaj Ali Ahmetit dhe BDI-së. Për ta mbështetur këtë pohim, do të duhej një provë konkrete: deklaratë, intervistë, postim ose qëndrim publik ku Rama e kritikon VLEN-in në mënyrë të qartë.
Rama, ndjek një politikë të palëkundur mbështetëse ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e vënë theksin te integrimi euro-atlantik dhe te roli i shqiptarëve si një popull shtetformues dhe garantues i stabilitetit atje. Ky partneritet i ngushtë është konkretizuar përmes lehtësimit të lëvizjes dhe bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht me thjeshtimin e kontrolleve në pika kufitare. Në deklaratat publike të Ramës gjenden qëndrime për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe vlerësime për rolin politik të Ali Ahmetit. Këto qëndrime mund të interpretohen politikisht si mbështetje për Ahmetin ose si mesazh për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Por, interpretimi politik nuk është i njëjtë me faktin e verifikueshëm se Rama ka kritikuar VLEN-in.
Prandaj, formulimi i Kasamit se Rama nuk e ka kritikuar Ali Ahmetin dhe BDI-në “as 10 përqind” sa e kritikon VLEN-in krijon përshtypjen se ekziston një fushatë e dokumentuar kritikash të Ramës ndaj VLEN-it. Por një fushatë e tillë nuk dëshmohet pa citate konkrete. Në këtë rast, perceptimi politik i tij paraqitet si fakt.
Deklarata e Kasamit bën edhe një zhvendosje të fokusit. Në vend që të diskutohet çfarë ka thënë realisht Rama për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe si mund të interpretohen këto deklarata, debati zhvendoset te motivet e supozuara personale të Ramës ndaj Ali Ahmetit dhe BDI-së. Këto motive nuk mund të verifikohen vetëm nga deklarata e Kasamit.
Konteksti politik në të cilin bëhet kjo deklaratë është gjithashtu i rëndësishëm. VLEN është përballur me kritika publike për disa çështje politike në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, ligji për përfaqësim të drejtë, raportet me VMRO-DPMNE-në dhe vonesat në ndryshimet kushtetuese, etj. Këto sfida mund të shpjegojnë pse Kasami e ashpërson retorikën ndaj Tiranës, por nuk e vërtetojnë pohimin se Rama e ka kritikuar drejtpërdrejt VLEN-in.
Për këtë arsye, deklarata e Kasamit mund të vlerësohet si spin. Ajo i paraqet qëndrimet e përgjithshme të Ramës, reagimet nga Tirana dhe polemikat mediatike si kritikë personale të kryeministrit shqiptar ndaj VLEN-it, pa ofruar citat publik që e mbështet këtë pohim. Duke e projektuar Edi Ramën si një „armik emocional” që mbron Ali Ahmetin, Kasami po përdor një strategji devijimi nga realiteti. Ai kërkon që pakënaqësinë e votuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ta orientojë drejt Tiranës, duke e paraqitur kritikën e brendshme (legjitime) si një produkt të „interesave personale” të Edi Ramës.
