Përderisa pushteti kërcënon një pjesë të prokurorisë se durimi është në fund dhe kërkon llogari për zvarritjen e rastit Grubi, opozita e përbërë nga LSDM-ja dhe BDI-ja akuzon kryeministrin Mickoski për presion brutal partiak mbi prokurorinë dhe i kërkon dorëheqje prokurorit Nenad Saveski
Ersan PAJAZITI
Shkup, 25 maj – Prokuroria dhe sistemi gjyqësor është kthyer në fushën kryesore të betejës politike mes pushtetit dhe opozitës, pas një vargu deklaratash të ashpra që kanë ardhur nga të katër kahet e spektrit politik. Kryeministri Hristijan Mickoski ka kërcënuar hapur “një pjesë të prokurorisë” duke thënë se “durimi është në fund” dhe se “drejtësia do t’i arrijë të gjithë”.
Në fjalimin e mbajtur në kishën e Shën Sofisë, Mickoski u përpoq të kapte një ton që ndërthurte solemnitetin fetar me retorikën politike. Ai pranoi hapur se ekziston pakënaqësi në rritje mes qytetarëve për ngadalësinë e drejtësisë dhe se as ai vetë nuk është plotësisht i kënaqur me ritmin e rezultateve. “E kuptoj pakënaqësinë dhe revoltën te njerëzit që po humbasin gjithnjë e më shumë durimin. Edhe unë nuk jam deri në fund i kënaqur dhe mendoj se mund të bëhet shumë më mirë dhe me rezultate shumë më të shpejta” tha kryeministri, duke shtuar se i dëgjon britmat e njerëzve që shohin se si disa po i qeshin drejtësisë dhe mendojnë se janë të paprekshëm.
Mesazhi më i fortë i tij, megjithatë, u drejtua jo vetëm ndaj atyre që ai i quajti kritikët më të zëshëm sot, që dje keqpërdornin shtetin, por edhe ndaj një pjese të prokurorisë, e cila, sipas tij, gjithnjë e më shpesh kërkon justifikime. “Durimi është në fund. Drejtësia do t’i arrijë të gjithë. E ndjek me kujdes atë që po ndodh” deklaroi ai.
Duke u distancuar nga akuzat për mosveprim, Mickoski theksoi se nuk hyri në politikë për të shpikur justifikime, por për të vendosur rend, drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe se nuk do të tërhiqet nga qëllimi për t’u “marrë frymën në qafë” atyre që pasurohen mbi vuajtjen e qytetarëve. Përndryshe mesazhet e kryeministrit vijnë pas reagimeve të shumta të tij dhe partisë së tij ndaj shefit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korupsion, Islam Abazi, e që lidhen me vendimin e prokurorisë në fjalë për rastin “Mazut”.
LSDM: PROKURORIA NËN KOMANDËN E MICKOSKIT
Reagimi i opozitës nuk vonoi. Përmes një komunikate publike, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë e lexoi fjalimin e Mickoskit jo si thirrje për llogaridhënie, por si “porosi të radhës” drejtuar prokurorit publik Nenad Saveski. “Mickoski vazhdimisht i dikton detyrat prokurorit publik Nenad Allo Saveski. Ashtu siç i diktonte udhëzime në telefon, ashtu siç i shpërndante detyra me emocione nga foltorja e Kuvendit dhe nga televizioni, tani vjen edhe një urdhër i ri në ditë feste” thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Socialdemokratët shkojnë më tej, duke pretenduar se gjyqësori dhe prokuroria në Maqedoni janë nën kontroll të plotë të Mickoskit dhe grupit të tij të organizuar kriminal dhe se pikërisht kjo është arsyeja pse, sipas tyre, vendi nuk ka drejtësi, nuk ka reforma dhe ka mbetur me rrugën evropiane të bllokuar. Akuza qendrore e LSDM-së është se kryeministri nuk i përmbush reformat sepse, siç pretendojnë, nuk dëshiron gjyqësor të pavarur dhe nuk dëshiron Prokurori Publike Evropiane dy elemente që, sipas tyre, do të nënkuptonin fundin e mbrojtjes së kriminelëve në pushtet. “Që kur Mickoski ia zgjodhi atë në funksion, Allo Saveski është gjatë gjithë kohës në linjë me Mickoskin, duke punuar sipas porosive të tij. Mickoski jep urdhra, Saveski i zbaton. Pas këtyre deklaratave dhe pranimeve skandaloze të Mickoskit, më e pakta që mund të bëjë Saveski është të japë dorëheqjen qysh sot”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
BDI: VMRO TË NDALOJË PRESIONIN MBI PROKURORINË
Edhe BDI javën e kaluar ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se VMRO-DPMNE po bën presion të jashtëzakonshëm ndaj prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë. Nëpërmjet reagimeve të njëpasnjëshme partia e Ali Ahmetit ka ngritur alarmin se funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së po tentojnë të imponojnë vendime politike në prokurori dhe gjyqësor.
“VMRO-DPMNE ankohej për përndjekje nga LSDM dhe PSP, ndërsa sot po bën të njëjtën gjë në mënyrën më brutale dhe nga e përndjekur, u shndërrua në përndjekëse politike. Mos ia bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty!”, thuhet në një reagim të partisë së Ali Ahmetit, nga ku kanë bërë edhe thirrje të drejtpërdrejtë që VMRO të ndalojë partizimin e Prokurorisë dhe përndjekjen politike. Integristët kanë njoftuar se këtë shqetësim ia kanë përcjelllur edhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila sipas BDI-së është e skandalizuar nga presioni brutal partiak dhe porositë ndaj prokurorisë.
“E inkurajojmë prokurorinë që, aty ku nuk ka vepër, nuk ka prova dhe nuk ka dëm, t’i hedhë poshtë kallëzimet penale politike për përndjekje politike dhe të mos bie nën presionin qeveritar e partiak, por të veprojë sipas ligjit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
VLEN: KU MBETI HETIMI PËR ARTAN GRUBIN
Partia shqiptare në pushtet VLEN ndërkohë, thonë se rasti i ish-zv/kryeministrit të parë Artan Grubi po zvarritet dhe se për këtë nuk mund të anashkalohet as emri i prokurorit, Islam Abazi. “Njeriu që për vite ishte arkiva e gjallë e BDI-së, njeriu që di ku janë firmat, pazaret, marrëveshjet dhe aferat e pushtetit të vjetër, ende nuk po përballet me epilog institucional. Në këtë rast nuk mund të anashkalohet as emri i Islam Abazit. Opinioni e mban mend mirë se Artan Grubi kishte punësuar një familjare të afërt të tij, e më pas e kishte transferuar në AEK. Sot, kur rasti Grubi po ecën me hapa breshke, qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse kjo është rastësi, apo pjesë e ndonjë rrjeti që prodhon mbrojtje, heshtje dhe paprekshmëri”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga partia shqiptare në pushtet theksojnë se rasti “Grubi” nuk guxon të përfundojë në sirtar apo të kthehet në pazar të ri të nëntokës politike, meqë çdo zvarritje e drejtësisë, sipas tyre, dëmton besimin e qytetarëve dhe rrugën evropiane të vendit.
