Bëhet fjalë për 13 punonjës, të profileve të ndryshme, edukatore, kujdestare, sanitare, kuzhiniere…, të cilat që nga muajin shator i vitit të kaluar, përveç nënshkrimit të dy kontratave në vepër me afat tre dhe gjashtë mujore, nuk kanë asgjë të sigurt. Dy honorarë dhe dy rroga janë përfitimet e vetme që kanë marrë gjatë këtyre muajve që nga hapja e çerdhes
Evis HALILI
Shkup, 29 maj – Nëntë muaj pas fillimit të punës, një pjesë e personelit në kopshtin Bambi nuk i kanë përfituar të plota pagat mujore. Bëhet fjalë për 13 punonjës, të profileve të ndryshme, edukatore, kujdestare, sanitare, kuzhiniere…., të cilat që nga muajin shator i vitit të kaluar përveç nënshkrimit të dy kontratave në vepër me afat tre dhe gjashtë mujore, nuk kanë asgjë të sigurt. Dy honorarë dhe dy rroga janë përfitimet e vetme që kanë marrë gjatë këtyre muajve që nga hapja e çerdhes, përkatësisht pesëmijë denarë në muajin shtator dhe gjashtëmijë në tetor dhe dy rroga në prill dhe maj, shkruan gazeta KOHA.
“Ndodhemi në një situatë të keqe, ku punon dhe nuk paguhesh. Dy muajt e parë morëm diçka, por jo rrogën, muajin e parë pesëmijë denarë, të dytin gjashtëmijë, pastaj asgjë. Kaluan muaj dhe në prill na lëshuan rrogën dhe në maj po ashtu, në data të ndryshme. Ku janë rrogat e tjera të prapambetura, askush nuk na sqaron, na thonë të presim. Angazhimi ynë në punë është maksimal, punë ka se edhe numri i fëmijëve është i madh, grupet janë të ngarkuara me më shumë fëmijë”, shkruan në letrën drejtuar redaksisë KOHA punonjësja e këtij kopshti.
“Situata jonë është më komplekse. Nuk paguhemi dhe prapë rrimë, por ka një shpjegim se jemi punonjëse me kontratë, nuk kemi një marrëdhënie të rregullt që na jep siguri të ngremë zërin, por jemi të detyruar të heshtim se zëvendësohemi me të tjerë”, thotë një tjetër e punësuar.
Të kontaktuar nga “KOHA” se si qëndron problemi me këto punonjës, nga drejtoria nuk ka asnjë reagim.
Çerdhja “Bambi” që funksionon në kuadër të “Fidanit”, u inaugurua vitin e kaluar, në muajin gusht. Me kapacitet për përkujdesjen e 350 fëmijëve në 22 grupe, kopshti është tërësisht i kompletuar me inventar dhe interier modern, në përputhje me standardet më të larta për institucionet parashkollore dhe garanton kushte të sigurta, për edukimin dhe përkujdesjen e hershme të fëmijëve. Kështu u promovua nga Komuna e Çairit vitin e kaluar fillimi i punës së këtij institucioni.
Punimet për ndërtimin e objektit zgjatën rreth pesë vjet, edhe pse duhej të inaugurohej në vitin 2022. Në Raportin e Revizionit Shtetëror të vitit të kaluar – “Sigurojnë investimet publike në kopshte përdorimin efektiv të fondeve dhe a kontribuojnë në ofrimin e kushteve të përmirësuara të jetesës, mbulimit optimal dhe të rritur të fëmijëve parashkollorë, si dhe kujdesit dhe edukimit të tyre?”, Bambi është një nga shembujt më flagrant të neglizhencës. “Edhe pse deri më tani janë paguar 82 për qind nga mjetet e dakorduara (99 nga gjithsej 120 milionë denarë), kopshti ende nuk funksionon”, thuhet në raport.
Kopshtet publike financohen me fonde nga buxhetet shtetërore dhe komunale, fondet IPA, kredi nga Banka Botërore – 28.7 milionë eurosh, nga të cilat 15.1 milionë euro të destinuara për ndërtimin dhe rehabilitimin e kopshteve.
Sipas Raportit rreth 70 për qind e çerdheve në rang vendi kanë funksionuar me kapacitete që tejkalojnë numrin e fëmijëve në një grup, dyfishi i normave të lejuara, ndërsa mungesat në personel ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e shërbimit që ofrojnë. “Në kushtet e kapaciteteve të kufizuara në kopshte, numri i fëmijëve të regjistruar vazhdon të tejkalojë kapacitetin e parashikuar, gjë që çon në pasoja për cilësinë e procesit arsimor. Në shtator 2023 në 31për qind të kopshteve u tejkalua kapaciteti, në maj 2024 në 67 për qind të kopshteve. Kjo çon në ngarkesë të tepërt të grupeve, veçanërisht në grupmoshat 3-4 dhe 4-5 vjeç, gjë që ndikon në kushtet e punës së edukatorëve dhe cilësinë e kujdesit për fëmijët”, thuhet në Raport.
Sipas raportit të Revizionit për “Investimet publike për sigurimin e kapaciteteve dhe kushteve për mbrojtjen e fëmijëve në çerdhe”, zvarritja prej disa vitesh e procesit të vënies në funksion të çerdheve të reja është një nga shkaktarët kryesorë që në listat e pritjes në tetor të vitit të kaluar figuronin rreth pesë mijë fëmijë. Lidhur me këtë problem nga Qeveria kanë deklaruar se po rikonstruktohen, 15 objekte, ndërsa 11 të tjera janë objekte të reja që po ndërtohen.
95 PËR QIND E FËMIJËVE NË BE NË KOPSHTE, NË MAQEDONI AS GJYSMA
Eurostat në një publikim të këtyre ditëve thekson se në vitin 2024, 95 për qind e fëmijëve midis moshës 3 vjeç dhe moshës së detyrueshme për arsimin fillor në vendet e BE-së ishin të përfshirë në arsim parashkollor, nga 91.2 për qind në vitin 2014. Sipas Eurostat kjo përqindje në rritje e sjell BE-në një hap më afër arritjes së qëllimit të përcaktuar në kuadrin strategjik të Zonës Evropiane të Arsimit, i cili synon të ketë të paktën 96 për qind e fëmijëve të jenë pjesë e sistemit arsimor dhe kujdesit të hershëm fëmijëror deri në vitin 2030. Maqedonia figuron si një nga vendet evropiane me përfshirje të ulët të fëmijëve të moshës 0 deri 6 vjeç në edukimin parashkollor.
Sipas të dhënave të Eurostat nëse në vitin 2015 vetëm 31.7 për qind e fëmijëve ndiqnin arsimin parashkollor shifrat nuk kanë lëvizur shumë në vite, duke shkuar vetëm në 48 për qind të fëmijëve në vitin 2024. Shumë larg mesatares evropiane, por edhe synimeve të BE për përfshije të plotë deri në vitin 2030. Shkallët më të larta të pjesëmarrjes midis vendeve të BE-së u raportuan nga Franca (100 për qind), Belgjika (98.1 për qind), Lituania dhe Hungaria (97.9 për qind secila). Në të kundërt, shkallët më të ulëta u regjistruan në Rumani (76.5 për qind ), Sllovaki (81.8 për qind ) dhe Çeki (86.4 për qind).
