🔴 Pas reformave që askush nuk i pa, Arben Fetai niset për misionin e radhës në Bruksel

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se Arben Fetai do të emërohet përfaqësues special i Qeverisë në Bruksel, pas dorëheqjes së tij nga posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë.

Sipas Mexhitit, dorëheqja e Fetait nuk lidhet me ndonjë largim nga politika, por me marrjen e një funksioni të ri. “Dha dorëheqje për t’u emëruar përfaqësues special në Bruksel, domethënë për të marrë pozitë të re”, deklaroi ai.

Megjithatë, emërimi i ri vjen në një moment kur publiku ende pret rezultate konkrete nga pozita që Fetai mbajti deri më tani. Funksioni i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë u prezantua me pritshmëri të mëdha për reforma, transparencë dhe luftë kundër keqqeverisjes, por për shumë qytetarë rezultatet mbetën të paqarta ose të padukshme.

Ndërkohë, Mexhiti bëri të ditur se partnerët e koalicionit janë marrë vesh në parim për rikonstruktimin e Qeverisë, por ende nuk kanë nisur bisedimet konkrete për ndarjen e resorëve dhe detajet e ndryshimeve që priten në ekzekutiv.

Kështu, pas reformave që shumëkush thotë se nuk i pa në praktikë, Arben Fetai merr një mision të ri politik në Bruksel.

Back To Top