KUSH SULMON LIDHJEN ME SHQIPËRINË,

Prej vitit 2016 e këndej, për herë të parë pas shumë vitesh, faktori politik shqiptar filloi të kuptojë se pa koordinim kombëtar dhe pa mbështetjen e Shqipërisë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut do të vazhdonin të mbeteshin një faktor i fragmentuar, i përdorshëm vetëm për nevojat e të tjerëve. Pikërisht në këtë periudhë, Tirana zyrtare mori një rol më aktiv në mbështetjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve dhe në përpjekjet për unifikim rreth çështjeve strategjike kombëtare. Sot, kjo qasje po reflektohet dhe po kapitalizohet përmes aktiviteteve të z. Meidani.

Por sa herë që shqiptarët afrohen rreth një kauze të përbashkët, dalin në skenë disa të vetëshpallur “intelektualë”, analistë sezonalë dhe pseudopatriotë të pushtetit, të cilët brenda natës harrojnë çdo interes kombëtar dhe fillojnë të paraqesin si sukses çdo politikë që vjen nga pushtetarët. Për ta, problemi nuk është diskriminimi, moszbatimi i ligjeve apo margjinalizimi i shqiptarëve; problemi është gjithmonë ai që guxon t’i ngrejë dhe t’i artikulojë këto tema.

Shqiptarët mund të ndahen në parti, por nuk duhet të ndahen në çështjet kombëtare. Mund të kenë mendime të ndryshme për qeverinë dhe opozitën, por nuk duhet të kenë dilema për Shqipërinë. Kushdo që përpiqet të krijojë hendek mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, po luan me një nga shtyllat më të rëndësishme të vetëdijes sonë kombëtare.

Për ne, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet busulla dhe pasqyra jonë kombëtare, një pikë referimi rreth vlerave që na bashkojnë.

Të luftosh këtë ide nuk është modernizëm politik; është një përpjekje e kotë për ta zbehur vetëdijen kombëtare shqiptare.

Shqipëria është busulla jonë kombëtare, uniteti është forca jonë, ndërsa interesi shqiptar është vija jonë e kuqe.

Një komb. Një qëndrim. Një ide.

Back To Top