“Asgjë?” Jon Selimi: Nuk pranojmë gjysmë-zgjidhje dhe as pazare politike

Organizatori i protestave studentore për jurisprudencën, Jon Selimi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit, i cili kërkesën e studentëve e përshkroi me fjalën “Asgjë”.

Në një reagim publik, Selimi theksoi se kërkesa e studentëve nuk është as privilegj dhe as favor politik, por një e drejtë që buron nga ligji dhe Kushtetuta. Ai akuzoi institucionet për nënvlerësim të mundit dhe angazhimit të studentëve, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në arritjen e një zgjidhjeje të plotë.

“Nëse mendoni se mund të talleni me mundin tonë, me ditët tona në rrugë dhe me një të drejtë kushtetuese, e keni llogaritur shumë gabim. Për ju, kërkesa jonë mund të jetë ‘asgjë’, por për ne është gjithçka”, shkroi Selimi.

Ai nënvizoi se studentët nuk do të pranojnë gjysmë-zgjidhje apo pazare politike, duke rikujtuar se provimi i jurisprudencës ka për qëllim të testojë njohuritë juridike të kandidatëve dhe jo aftësitë e tyre gjuhësore.

Sipas Selimit, deklarata e kryeministrit vetëm sa ka rritur vendosmërinë e studentëve për të vazhduar betejën e tyre. “Favore nuk kemi kërkuar asnjëherë. Kërkojmë zbatim të ligjit. Dhe nuk tërhiqemi”, përfundon reagimi i tij.

Back To Top