Umejr Muhamedi ka hedhur akuza të ashpra ndaj ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, duke pretenduar se ai mban një kafene në Çair me emrin “Vendi”, e cila sipas tij nuk lëshon kuponë fiskalë.
Muhamedi theksoi se është e papranueshme që një zyrtar i lartë shtetëror të përballet me akuza të tilla, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk reagojnë. Ai ngriti shqetësime edhe për biznese të tjera në Çarshinë e Shkupit, të cilat sipas tij realizojnë qarkullim të madh ditor pa lëshuar kuponë fiskalë.
Sipas Muhamedit, inspektoratet po tregojnë selektivitet në zbatimin e ligjit, duke ndëshkuar qytetarët dhe bizneset e vogla, ndërsa shkeljet e pretenduara nga persona me ndikim mbeten pa trajtim institucional.
“Katastrofë, definitivisht”, shkroi Muhamedi, duke kërkuar më shumë kontrolle dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë.
