Shasivari merret me Edi Ramën, por anashkalon problemet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Kolumna e re e profesorit universitar Jeton Shasivari kundër Edi Ramës dhe Tiranës duket si me “digitron”. Nejse,…

Para se të flasë për demokracinë, barazinë dhe padrejtësitë në Shqipëri, profesori universitar Jeton Shasivari do të duhej t’u përgjigjej pyetjeve që ngrihen në vendin ku ushtron ndikimin e tij profesional dhe politik. Ai është një nga hartuesit e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të promovuar nga VLEN, një ligj që është kritikuar gjerësisht nga ekspertë, juristë dhe faktorë politikë shqiptarë për mungesën e kuotave etnike dhe për faktin se nuk përmban mekanizma sanksionues në rast të moszbatimit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përballen me shqetësime reale për dobësimin e garancive institucionale të fituara me dekada përpjekjesh politike, profesori zgjedh të heshtë përballë politikave diskriminuese të qeverisë ku VLEN bashkë me KM Mickoski e VMRO DPMNE është pjesë aktive. Në vend të kritikës ndaj pushtetit që po relativizon një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, ai kanalizon energjinë e tij në sulme politike ndaj Tiranës zyrtare dhe Edi Ramës.

Është e drejtë e çdo intelektuali të kritikojë qeveritë dhe liderët politikë, por kredibiliteti i kritikës varet nga qëndrueshmëria e saj. Kur dikush mbyll sytë para cenimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve në shtetin e vet, ndërsa shkruan kolumna të gjata për zhvillimet në Shqipëri, krijohet përshtypja se kritika nuk buron nga parimet, por nga pozicionimi politik. Heshtja ndaj problemeve të afërta dhe zhurma ndaj atyre të largëta nuk është standard akademik, por selektivitet politik.

Prandaj, para se të kërkojë llogari në Tiranë, profesori Shasivari duhet t’u përgjigjet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: pse ligji që ndihmoi të hartohej nuk garanton përfaqësim të matshëm dhe të detyrueshëm, pse nuk parashikon pasoja për institucionet që e shkelin këtë parim dhe pse kritika e tij është kaq e zëshme ndaj qeverive të tjera, ndërsa kaq e heshtur ndaj politikave të qeverisë ku partnerët e tij politikë, bashkëpunëtorë i të cilëve është, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

Back To Top