Osmani: Shqiptarët u nxorën jashtë institucioneve dhe u kthyen në spektatorë – dështim i VLEN-it

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar duke ngritur shqetësime për gjendjen e shqiptarëve dy vite pas, siç thotë ai, “premtimit për ndryshim”, duke e lidhur drejtpërdrejt me performancën e VLEN-it në qeverisje.

Sipas Osmanit, shqiptarët sot nuk janë më shtytës të proceseve eurointegruese dhe nuk kanë më peshën politike që kishin më parë në vendimmarrje. Ai thekson se përfaqësimi i tyre në institucione është zvogëluar ndjeshëm, duke i lënë jashtë proceseve kryesore shtetërore.

Ai akuzon gjithashtu se shqiptarët janë të përjashtuar nga proceset e mëdha ekonomike, ndërsa pasuria publike, sipas tij, po qarkullon në një rreth të ngushtë partiak dhe familjar. Osmani përmend edhe dobësimin e mekanizmave të barazisë, si dhe mungesën e përfaqësimit në fusha kulturore, identitare dhe në raport me diasporën.

“Një popull që para dy vitesh ishte faktor vendimmarrës, sot shndërrohet në spektator,” thuhet në reagim, duke shtuar se kjo nuk është ajo që u premtua dhe as ajo që meritojnë shqiptarët.

Në fund, Osmani i referohet edhe deklaratës së kryetarit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, i cili ka thënë se VLEN-i është “partneri i tretë i koalicionit”, duke e përdorur këtë si argument për pozitën politike të shqiptarëve në qeveri.

Back To Top