Gazi Baba – lagjja ku premtimet notojnë, ndërsa fekalet sundojnë
Ka vende ku historia shkruhet me gurë, ka vende ku shkruhet me gjak, e ka edhe Gazi Baba, ku historia e pushtetit shkruhet me… fekale.
Kanë kaluar tri ditë nga shiu, por jo nga përmbytja e ndërgjegjes. Rrugët vazhdojnë të mbajnë erën e dështimit, ndërsa banorët ecin mes ujërave të zeza sikur të ishin bërë personazhe të ndonjë satire të zezë. Ndoshta ky është projekti më i realizuar urbanistik: ta kthesh një lagje në muze të neglizhencës.
Për plot 24 vjet u premtua zhvillim, modernizim, infrastrukturë dhe standard evropian. Në fund, standardi që mbërriti ishte aroma e kanalizimeve. Dhe, për ironi, ajo është e vetmja gjë që ndihet në çdo cep të lagjes.
Thuhet se një lider ndërton rrugë për qytetarët. Këtu ndodhi e kundërta. U ndërtuan ndërtesa aq afër njëra-tjetrës, sa dielli duhet të kërkojë leje për të hyrë mes tyre. Rrugët u shndërruan në parkingje, parkingjet në labirinte, ndërsa banorët në pengje të një vizioni që kishte një destinacion të vetëm – interesin personal.
Nëse medaljet do të ndaheshin për betonin, ndoshta do të kishim kampion bote. Por medalje për kanalizime që shpërthejnë, për lagje që fundosen në çdo shi dhe për qytetarë që jetojnë me çizme edhe në verë, nuk ndan askush.
Sot revolta e banorëve nuk është vetëm ndaj kryetarit të komunës. Është edhe ndaj vetvetes. Sepse demokracia ka një ligj të pamëshirshëm: fletët e votimit, herët a vonë, kthehen në faturë. E kur politika ndërtohet mbi interesin personal, qytetarët përfundojnë duke paguar me dinjitetin, shëndetin dhe jetën e tyre të përditshme.
Ironia më e madhe është se, sa herë bie shi, nuk dalin në sipërfaqe vetëm fekalet. Dalin edhe premtimet e pambajtura, projektet fantazmë, fjalimet boshe dhe propaganda që për vite u servir si sukses historik.
Dikush mund të largohet nga posti, mund të ndërrojë kolltukun apo funksionin, por pasojat e një keqqeverisjeje nuk largohen me të. Ato mbeten në çdo rrugë të bllokuar, në çdo kanal të stërmbushur dhe në çdo familje që çdo reshje e pret me frikë.
Gazi Baba nuk ka nevojë për deklarata. Mjafton të hapësh dritaren. Era flet më shumë se çdo konferencë për shtyp. Dhe, ndoshta për herë të parë, propaganda është mbytur në të njëjtin vend ku u mbytën edhe premtimet.
