Mickoski: Huaja që Qeveria mori nga M-NAV, MEPSO dhe Lotaria është për shlyerjen e kredisë së bankës kineze për autostradat

Qeveria ka marrë hua jo vetëm nga Navigacioni i Maqedonisë (M-NAV), por edhe nga Lotaria Shtetërore dhe MEPSO, në emër të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se për çfarë do të përdoren mjetet e marra nga M-NAV për Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, Mickoski tha gjatë një aktiviteti te nyja rrugore “Momin Potok” në Shkup:

“Nuk bëhet fjalë vetëm për mjetet nga Navigacioni Maqedonas. Kemi mjete edhe nga Lotaria, edhe nga MEPSO, si dhe mjete vetanake të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Këto mjete do të përdoren për shlyerjen e një kredie ndaj bankës kineze për autostradat. Të njëjtat mjete do t’u kthehen kompanive gjatë muajit gusht. Pra, bëhet fjalë vetëm për një procedurë të zakonshme, e cila është zbatuar shumë herë edhe në të kaluarën. Në gusht fondet do t’i kthehen M-NAV-it, Lotarisë së Maqedonisë dhe MEPSO-s”.

Me një vendim të miratuar në mbledhjen e 14 korrikut, Qeveria mori një hua prej 7 milionë eurosh nga M-NAV.

Tre drejtorët e kompanisë – Vladimir Risteski, kryetar i Bordit Drejtues, Milan Koraq dhe Fatmir Zimberi – e nënshkruan vendimin më 17 korrik, duke miratuar dhënien e një huaje afatshkurtër.

Sipas vendimit, huaja duhet të kthehet deri më 30 nëntor 2026, ndërsa fondet janë dhënë pa interes

Back To Top