Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kritikoi hyrjen e partive shqiptare në Qeveri, duke e cilësuar atë si veprim pa legjitimitet dhe duke kërkuar që një gabim i tillë të mos përsëritet në të ardhmen.
Ahmeti tha se partitë shqiptare duhet të kenë kujdes që të mos e sakrifikojnë legjitimitetin për pjesëmarrje në pushtet, duke theksuar se, sipas tij, “e shitën lëkurën aq lirë”.
“Fatkeqësia është pse shqiptarët të jenë pjesëmarrës në këto lojëra kaq denigruese për shqiptarët dhe uroj dhe lus Zotin që këtë gabim partitë politike shqiptare të mos e përsërisin në të ardhmen”, tha Ahmeti.
Ai kujtoi se BDI ka qeverisur për një dekadë me VMRO-në dhe një dekadë me LSDM-në, por sipas tij, hyrja në bashkëqeverisje është bërë mbi marrëveshje dhe me synim avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Unë kam qeverisur një dekadë me VMRO-në dhe një dekadë me LSDM, por pa marrëveshje unë nuk kam hyrë në bashkëqeverisje”, deklaroi Ahmeti.
Sipas tij, gjatë periudhës kur BDI ka qenë në pushtet, të drejtat dhe përfaqësimi i shqiptarëve janë zgjeruar gradualisht.
“Mbase nuk kam shkuar me hapa gjigand, por kam shkuar me hapa aritmetikë. Për çdo mandat kam zgjeruar të drejtat që u takojnë shqiptarëve, duke pasur për bazë Marrëveshjen e Ohrit. Dhe nuk kam shkuar duke i minimizuar të drejtat për shqiptarët”, tha Ahmeti.
Ahmeti kritikoi edhe ndryshimet në mënyrën e llogaritjes së përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, duke pretenduar se përqindja është ulur nga rezultati i regjistrimit të popullsisë.
“Situata ka degraduar aq shumë dhe neve na duhet shumë energji për të harxhuar për të arritur gjendjen e dëshirueshme brenda vendit”, u shpreh ai.
Në fund, Ahmeti tha se nuk pret që partitë e tjera shqiptare të bëjnë atë që ka bërë BDI, por kërkoi që të mos dëmtohet ajo që, sipas tij, është arritur ndër vite.
“Unë nuk kërkoj të bëjnë sa kishim bërë ne, sepse e gjeta me zero këtë pushtet, e lash me kryeministër shqiptar”, tha Ali Ahmeti.
