FC Shkupi kërkon mbështetjen e biznesit: Koha të bashkohemi për rikthimin e klubit
FC Shkupi u ka drejtuar një thirrje publike biznesmenëve të Shkupit që të përfshihen në procesin e stabilizimit dhe rimëkëmbjes së klubit.
Nga drejtuesit e rinj bëjnë të ditur se pas marrjes së klubit kanë trashëguar borxhe dhe probleme të akumuluara nga pronësia e mëparshme. Pavarësisht gjendjes së rëndë, kryesia thotë se tashmë ka nisur një proces serioz për konsolidimin e klubit.
Në kuadër të këtij procesi, FC Shkupi së shpejti do të hapë hapësirat reklamuese në stadium dhe në fanellat e reja. Bizneseve që do ta mbështesin klubin u premtohet transparencë e plotë për çdo investim dhe marrëveshje bashkëpunimi.
Thirrja meriton mbështetje të gjerë. FC Shkupi përfaqëson shumë më tepër sesa një ekip futbolli. Klubi është pjesë e identitetit sportiv të Çairit dhe Shkupit, me mijëra tifozë dhe me një histori që vetëm pak vite më parë e çoi deri te titulli kampion dhe paraqitjet në garat evropiane.
Rikthimi i FC Shkupit kërkon drejtim të përgjegjshëm, financim të qëndrueshëm dhe mobilizimin e gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë. Bizneset shqiptare të Shkupit kanë rastin të bëhen pjesë e ringritjes së një prej simboleve më të rëndësishme sportive të qytetit.
FC Shkupi u përket tifozëve, Çairit dhe gjithë Shkupit. Sot klubi ka nevojë për mbështetje konkrete që nesër të kthehet aty ku e meriton.
