Gjashtë milionë eurot që Qyteti i Shkupit i kishte marrë nga Qeveria për realizimin e projektit rrugor në Vizbeg janë rialokuar për një projekt tjetër – ndërtimin e rrugës nëntokësore në Bulevardin Jugor.
Qyteti i Shkupit, gjatë mandatit të ish-kryetarit Petre Shilegov dhe më pas gjatë mandatit të Danela Arsovskës, kishte marrë nga Qeveria nga 3 milionë euro, gjithsej 6 milionë euro, për realizimin e këtij projekti.
Bëhet fjalë për një segment rrugor në gjendje të rëndë, i cili aktualisht është rruga kryesore drejt kufirit me Kosovën.
Fillimisht ishte paralajmëruar që në këtë pjesë të ndërtohej një zgjidhje e re infrastrukturore, përfshirë një nyje te kryqëzimi me rrugën Sllovene dhe më pas një bulevard në drejtim të Vizbegut.
Por, sipas Qytetit të Shkupit, prioriteti i ekipit të ri është ndërtimi i nyjes në Momin Potok dhe vazhdimi i bulevardit deri te kryqëzimi me rrugën Sllovene.
Projekti për zgjerimin e rrugës Hasan Prishtina, përkatësisht Rrugës së Kaçanikut, aktualisht është në fazën e ndryshimeve. Si zgjidhje e parë është paraparë ndërtimi i një rrethrrotullimi te pjesa e rrugës Sllovene.
Sa i përket 6 milionë eurove, nga Qyteti i Shkupit thonë se fondet janë rialokuar, pasi konsiderojnë se nuk ka pengesa për ndryshimin e destinimit të tyre me vendim të Qeverisë.
Sipas tyre, paratë tani janë orientuar drejt realizimit të Bulevardit Maqedonia dhe projekteve prioritare në zonën e Momin Potokut.
Ndërkohë, kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, kishte paralajmëruar se nyja në Momin Potok pritet të përfundojë deri në Vitin e Ri.
❗️Vizbegu, ndërkaq, mbetet sërish në pritje të zgjidhjes infrastrukturore të premtuar.
