Shqiptarët e Amerikës bëjnë thirrje për mbështetjen e Arkin Jahijit në Bërvenicë
Shkup, 28 tetor – Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës, Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut ka dalë me një thirrje publike për bashkim politik dhe mbështetje të kandidatit shqiptar Arkin Jahiji. Organizata u është drejtuar të gjithë qytetarëve të komunës, veçanërisht shqiptarëve, duke kërkuar që në rrethin vendimtar zgjedhor t’i lënë mënjanë dallimet partiake dhe të mbështesin kandidaturën e Jahijit.
Në reagimin e saj, organizata thekson se kjo thirrje nuk duhet të interpretohet si qëndrim kundër ndonjë komuniteti apo subjekti politik, por si një mesazh për bashkëpunim dhe tejkalim të rivaliteteve partiake. “Kjo thirrje nuk është kundër askujt dhe as për përçarje politike. Është thirrje për bashkim, bashkëpunim dhe vendosjen e interesit të përbashkët mbi dallimet partiake”, thuhet në kumtesën e Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut.
Organizata i kushton vëmendje të veçantë fotografisë së përbashkët të dy kandidatëve shqiptarë pas përfundimit të rrethit të parë zgjedhor, duke e cilësuar atë si shembull të komunikimit dhe respektit politik përtej konkurrencës zgjedhore. “Fotografia e dy kandidatëve shqiptarë pas përfundimit të rrethit të parë zgjedhor është pikërisht fotografia që i duhet politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Konkurrenca politike është themeli i demokracisë, por rivaliteti duhet të përfundojë aty ku fillon interesi i përbashkët i qytetarëve”, theksohet në reagim. Sipas organizatës, ky gjest paraqet një mesazh pozitiv për marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike shqiptare, duke treguar se konkurrenca gjatë fushatës nuk e përjashton bashkëpunimin pas përfundimit të saj. “Ky gjest dëshmon pjekuri dhe përgjegjësi politike, duke dhënë një shembull që duhet të ndiqet edhe nga subjektet e tjera politike shqiptare”, vlerësojnë nga organizata.
Në kumtesë, Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut e uron Arkin Jahijin për rezultatin e arritur në rrethin e parë dhe konfirmon mbështetjen e saj për kandidaturën e tij në balotazh. “E urojmë z. Arkin Jahiji për fitoren në rrethin e parë dhe shprehim mbështetjen tonë për kandidaturën e tij në rrethin vendimtar”, thuhet në deklaratë.
Në përmbyllje, organizata përsërit mesazhin se dallimet partiake nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin për çështje që ajo i konsideron interesa të përbashkëta të qytetarëve shqiptarë. “Shqiptarët mund dhe duhet të konkurrojnë politikisht, por nuk duhet të lejojnë që dallimet partiake t’i pengojnë të bashkohen rreth interesave të përbashkëta. Bërvenica le të jetë shembulli!”, përfundon kumtesa.
