Shkup, 2 nëntor 2026 – Ekspoziturat e ALTA Bankës AD Bitola kanë ndërprerë përkohësisht punën me klientët, deri në njoftimin e radhës.
Sipas njoftimit të vendosur në një nga filialet e bankës, masa ka hyrë në fuqi nga 2 nëntori 2026, ndërsa banka sqaron se vendimi është marrë në kuadër të masave të përkohshme mbrojtëse të përcaktuara nga Banka Popullore.
Në njoftim thuhet gjithashtu se për personat fizikë është përcaktuar një limit javor prej 10.000 denarësh për përdorimin e mjeteve përmes kartelave të bankës.
“Ekspoziturat e ALTA Bankës AD Bitola përkohësisht nuk do të punojnë me klientë, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e bankës.
Nga ALTA Banka theksojnë se masat kanë karakter parandalues dhe synojnë, siç thuhet, mbrojtjen e mjeteve dhe interesave të klientëve.
Banka ka njoftuar se për çdo informacion të ri dhe ndryshim lidhur me masat e ndërmarra, klientët do të informohen përmes kanaleve zyrtare.
Situata pritet të ndiqet nga afër nga klientët e bankës, veçanërisht për shkak të kufizimit të përkohshëm dhe ndërprerjes së shërbimeve në ekspozitura.
