Arbëresha Vlashi: Dhjetëra fëmijë rrezikojnë të nisin vitin shkollor pa asistentë arsimorë

Dhjetëra fëmijë dhe nxënës që kanë nevojë për mbështetje të veçantë rrezikojnë ta nisin vitin e ri shkollor pa asistentë arsimorë. Alarmimin e ngre Arbëresha Vlashi, Sekretare për Mundësi të Barabarta në BDI, e cila kërkon përgjigje konkrete nga institucionet.

Vlashi thekson se problemet me mungesën e asistentëve ishin të pranishme edhe gjatë vitit të kaluar shkollor, duke bërë që në disa komuna fëmijët të mbeteshin pa mbështetjen e nevojshme për ndjekjen e rregullt të mësimit. Sipas saj, situata ka qenë veçanërisht shqetësuese edhe në arsimin e mesëm.

“Fëmijët dhe nxënësit që kanë nevojë për asistent arsimor nuk kërkojnë privilegj, por mundësi të barabarta për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, thekson Vlashi.

Ajo kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës që urgjentisht të sigurojnë numër të mjaftueshëm të asistentëve arsimorë në të gjitha komunat dhe nivelet e arsimit.

Vlashi ngre edhe disa pyetje konkrete: Sa fëmijë dhe nxënës kanë nevojë për asistent arsimor në nivel shtetëror? Sa asistentë janë siguruar për këtë vit shkollor? Dhe sa fëmijë rrezikojnë të mbeten përsëri pa mbështetje?

Sipas saj, e drejta për arsim duhet të jetë e garantuar për çdo fëmijë dhe mungesa e asistentëve apo mjeteve buxhetore nuk duhet të jetë pengesë për një arsim të barabartë dhe gjithëpërfshirës.

“Prandaj kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës që urgjentisht të sigurojnë numër të mjaftueshëm të asistentëve arsimorë në të gjitha komunat dhe në të gjitha nivelet e arsimit”, thuhet në reagimin e saj.

Back To Top