BDI Çair: Mexhiti bën PR me shëndetin, ndërsa qytetarët përballen me kolaps

Sekretariati për Shëndetësi i BDI-së, Dega Çair, ka reaguar ndaj aktivitetit të kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, duke e akuzuar se po e shndërron shëndetin publik në një mjet promovimi, ndërkohë që, sipas tyre, qytetarët përballen çdo ditë me probleme serioze që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e tyre.

Në reagim thuhet se, nëse Mexhiti është vërtet i shqetësuar për shëndetin e qytetarëve, fillimisht duhet të adresojë mungesën e infrastrukturës së sigurt, ndotjen e lartë të ajrit dhe pasojat e vërshimeve, të cilat, sipas BDI-së, vazhdojnë të paraqesin rrezik për banorët e Çairit.

Sekretariati për Shëndetësi i BDI-së thekson gjithashtu se sistemi shëndetësor po përballet me vështirësi të shumta. Në reagim përmendet ulja e mjeteve për programet preventive me rebalansin e buxhetit, pritjet e gjata për ekipet e Ndihmës së Shpejtë, kushtet alarmante në Qendrën Klinike Universitare, si dhe fakti që sallat operative, të promovuara muaj më parë, ende nuk janë vënë në funksion.

“Shëndeti nuk mbrohet me foto dhe aktivitete promocionale. Shëndeti mbrohet me politika që krijojnë një mjedis të sigurt, ajër të pastër dhe një sistem shëndetësor funksional. Fatkeqësisht, pikërisht në këto fusha Izet Mexhiti dhe kjo Qeveri kanë dështuar”, thuhet në reagimin e Sekretariatit për Shëndetësi të BDI-së, Dega Çair.

Back To Top