BDI: Pse manifestimi me Dodikun u mbajt falas, ndërsa për ditën e komuniteteve – 4.500 euro?

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar nga Qeveria të japë sqarime publike lidhur me, siç e cilëson, zbatimin e standardeve të dyfishta në përdorimin e institucioneve shtetërore të kulturës. Partia opozitare ngre pyetjen pse manifestimi “Ditët e Shën Savës”, ku i pranishëm ishte edhe lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, është organizuar pa pagesë në një institucion shtetëror, ndërsa për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve është faturuar shuma prej 4.500 eurosh.

Në reagimin e saj, BDI vlerëson se ky rast kërkon shpjegim të menjëhershëm nga institucionet kompetente dhe akuzon Qeverinë për trajtim të pabarabartë në raport me organizatorët e aktiviteteve të ndryshme.

Reagimi i plotë i BDI-së:

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që Qeveria të sqarojë menjëherë pse manifestimi “Ditët e Shën Savës”, ku mysafir kryesor ishte Milorad Dodik, u zhvillua pa pagesë në një institucion shtetëror të kulturës, ndërsa për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve janë faturuar 4.500 euro.

Edhe më skandaloz është heshtja e VLEN-it, partnerit të koalicionit në Qeveri, i cili çdo ditë paraqitet si mbrojtës i barazisë dhe i të gjitha komuniteteve, por nuk thotë asnjë fjalë kur institucionet shtetërore zbatojnë standarde të dyfishta.

Për aktivitet me Dodikun – falas.

Për Ditën e Romëve – 4.500 euro.

Për VLEN-in – heshtje.

A pajtohet VLEN me këtë politikë? A kanë votuar ministrat e tyre për këtë vendim? Dhe a është roli i tyre në Qeveri i reduktuar vetëm në mbulimin e heshtur të çdo padrejtësie? Institucionet shtetërore të kulturës nuk guxojnë të përdoren sipas afërsisë politike, preferencave etnike apo interesave partiake. Nevojiten kritere të qarta, të barabarta dhe publike për të gjithë.

Back To Top