Deklarata e Mickoskit tregon qartë se qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar. Në këtë situatë, drejtuesit e VLEN-it nuk kanë shprehur publikisht kundërshtim ndaj këtij pozicioni. Edhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, nuk ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit.
Kjo përbën një kontrast me retorikën e mëhershme të VLEN-it, kur integrimi evropian dhe zhbllokimi i procesit drejt BE-së, përfshirë edhe çështjen e ndryshimeve kushtetuese, paraqiteshin si ndër prioritetet kryesore politike. Sot, pas deklaratave të Mickoskit se ndryshimet kushtetuese nuk do të realizohen në formën e kërkuar, kjo temë duket se nuk zë më vend në diskursin publik të drejtuesve të VLEN-it.
Nga ky këndvështrim politik, heshtja e krerëve të VLEN-it interpretohet nga kritikët si mungesë gatishmërie për të kundërshtuar publikisht qëndrimin e kryeministrit, edhe kur ai bie ndesh me prioritetet që koalicioni kishte artikuluar më parë.
