BDI reagon për ndërtimet pranë varrezave të Bllacës: “Varrezat nuk janë vend për kazino”
BDI ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit pranë varrezave të Bllacës, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe fyese për ndjenjat e qytetarëve. Sipas deklaratës, pamjet dhe informacionet e publikuara ditët e fundit kanë tronditur opinionin publik, pasi në afërsi të një hapësire që simbolizon kujtesë, qetësi dhe respekt, po zhvillohen punime ndërtimore.
Sipas të dhënave zyrtare, parcela ku po kryhen punimet figuron në pronësi të kompanisë “Flamingo Casino”. BDI ngre shqetësimin se, nëse konfirmohet që objekti është i dedikuar për veprimtari të lojërave të fatit, atëherë bëhet fjalë për një vendim të papërgjegjshëm dhe thellësisht ofendues ndaj qytetarëve.
“Varrezat nuk janë vend për kazino. Nuk janë zonë për bixhoz dhe as hapësirë për fitim komercial. Ato janë vende dinjiteti,” thuhet në reagim, duke theksuar se çdo përpjekje për të vendosur industri të lojërave të fatit pranë tyre përbën provokim të rëndë ndaj familjeve dhe besimtarëve.
BDI thekson se kjo çështje tejkalon politikën ditore dhe prek drejtpërdrejt karakterin e shtetit, duke shtruar pyetjen nëse institucionet mbrojnë ndjenjat e qytetarëve apo interesat e industrisë së kazinove.
Në këtë drejtim, kërkohet urgjentisht:
- publikimi i destinimit real të objektit dhe dokumentacionit përkatës,
- ndalimi i menjëhershëm i punimeve deri në sqarimin e plotë të rastit,
- hetim për mënyrën se si është lejuar një veprimtari e tillë pranë varrezave,
- respektimi i vullnetit dhe ndjeshmërisë së banorëve të zonës.
Në fund, BDI ngre edhe çështjen e tërheqjes së ligjit që parashihte largimin e lojërave të fatit nga zonat e ndjeshme, duke kërkuar përgjigje nga qeveria për këtë vendim në dritën e zhvillimeve të fundit.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë,” përfundon reagimi.
