Ministri i VLEN, Durmishi reagon mbi një material të përgënjeshtruar nga Tirana

Në një kohë kur dezinformimi qarkullon më shpejt se verifikimi, përgjegjësia e zyrtarëve publikë nuk është të ndjekin zhurmën, por ta filtrojnë atë. Pikërisht këtu dështon reagimi i ministrit të Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.

Deklarata e tij e ashpër ndaj ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, erdhi mbi bazën e një materiali që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë e hodhi poshtë qartazi si të pavërtetë dhe të sajuar. Megjithatë, ky përgënjeshtrim nuk u reflektua në tonin apo përmbajtjen e qëndrimit të Durmishit.

Retorika për “fyerje ndaj shqiptarëve” dhe kërkesat për falje publike, në këtë rast, nuk mbështeten mbi një fakt të provuar, por mbi një narrativë të rrëzuar. Kjo e zhvendos debatin nga realiteti te perceptimi dhe rrezikon të prodhojë tensione të panevojshme në një hapësirë tashmë të ndjeshme politike.

Më problematik bëhet fakti se një çështje e tillë trajtohet si instrument për pozicionim politik, në vend që të trajtohet me kujdes institucional. Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ndjeshmëritë që lidhen me shqiptarët në rajon kërkojnë maturi, jo reagime impulsive që mund të ushqejnë keqkuptime.

Back To Top