Bujar Osmani në Tirolin e Jugut: Në fokus modeli i bashkëqeverisjes dhe garancitë e Marrëveshjes së Ohrit

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, më 16 dhe 17 shtator do të qëndrojë për vizitë në Tirolin e Jugut, Itali, ku pritet të zhvillojë takime me përfaqësues institucionalë dhe ekspertë të kësaj zone.

Në fokus të vizitës do të jetë modeli i bashkëqeverisjes i aplikuar në Tirolin e Jugut, i cili konsiderohet një nga shembujt më të njohur evropianë për mbrojtjen e komuniteteve gjuhësore, përfaqësimin proporcional dhe pjesëmarrjen në proceset vendimmarrëse.

Sistemi i Tirolit të Jugut përfshin mekanizma të posaçëm për përdorimin e gjuhëve në institucione, përfaqësimin proporcional në administratën publike, pjesëmarrjen e komuniteteve në vendimmarrje, si dhe mekanizma mbrojtës për interesat themelore të grupeve gjuhësore.

Një element i rëndësishëm i këtij modeli është zbatimi praktik i parimit të proporcionalitetit, i cili nuk mbetet vetëm në nivelin e parimeve politike, por reflektohet edhe në përfaqësimin në sektorin publik dhe në shpërndarjen e burimeve publike.

Gjatë vizitës, Osmani pritet të shkëmbejë përvoja mbi mënyrën se si funksionojnë këto mekanizma në praktikë dhe mbi mundësitë që përvojat e Tirolit të Jugut të jenë relevante për Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kuadër, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe mekanizmave që lidhen me përfaqësimin e drejtë, përdorimin e gjuhëve dhe pjesëmarrjen e komuniteteve në institucionet dhe proceset vendimmarrëse.

Vizita vjen në kuadër të interesimit për modele evropiane të bashkëqeverisjes dhe mekanizma institucionalë që synojnë garantimin e të drejtave të komuniteteve dhe funksionimin e qëndrueshëm të një shoqërie multietnike.

Back To Top