Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj spotit promovues të Qeverisë për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar atë si një përpjekje për t’i lënë shqiptarët jashtë narrativës shtetërore.
Sipas Bexhetit, në videon promovuese shqiptarët përfaqësohen vetëm përmes golit historik të Artim Shaqirit kundër Anglisë, ndërsa mungojnë figurat, ngjarjet dhe kontributet shqiptare në zhvillimin politik, institucional, kulturor dhe shoqëror të vendit.
Kritikat e tij janë të drejtuara edhe ndaj VLEN-it, të cilin Bexheti e akuzon për heshtje dhe mungesë ndikimi në Qeveri.
“Dhe VLEN-i hesht!”, shkruan Bexheti, duke ngritur pyetjen se çfarë bën kjo strukturë në Qeveri nëse, sipas tij, nuk mund të ndikojë as në mënyrën se si shqiptarët paraqiten në një spot shtetëror.
Bexheti e konsideron heshtjen e VLEN-it si dështim në përfaqësimin e shqiptarëve, duke argumentuar se pjesëmarrja në pushtet pa zë dhe pa ndikim nuk mund të quhet përfaqësim.
“Pjesëmarrja në Qeveri pa zë, pa ndikim dhe pa guxim nuk është përfaqësim. Është vazalitet”, shprehet ai.
Deputeti i BDI-së thekson se shqiptarët kanë qenë pjesë e zhvillimeve më të rëndësishme politike, institucionale dhe shoqërore të vendit dhe se nuk mund të fshihen nga historia përmes një videoje promovuese.
