Derala: Korniza negociuese është fitore diplomatike e Osmanit – ai i përshkoi kilometrat e fundit me gjemba drejt rrugës evropiane

Kolumnisti Xhabir Derala, në analizën e tij të fundit për Civil Media, vlerëson se Korniza negociuese e miratuar paraqet një fitore diplomatike të Bujar Osmanit, të arritur në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë, nën presionin e vetos bullgare.

Sipas Deralës, Osmani dhe ekipi i tij siguruan që gjuha maqedonase të përfshihej pa fusnota, ndërsa kërkesat historike bullgare të mos shndërroheshin në kritere për hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave. Ai thekson se pikërisht Osmani “i përshkoi kilometrat e fundit me gjemba për kthimin e vendit në rrugën evropiane”.

Derala shkruan se pushteti i sotëm, edhe pse politikisht përfitoi nga demonizimi i të ashtuquajturit “propozim francez”, tani është i detyruar ta pranojë qëndrueshmërinë e tij juridike. Edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tashmë ka konfirmuar se protokollet me Bullgarinë janë instrumente dypalëshe dhe nuk janë pjesë e Kornizës negociuese të Bashkimit Evropian – pikërisht atë që Osmani e kishte argumentuar prej vitesh.

Në analizë thuhet se Osmani la pas një kornizë në të cilën identiteti dhe gjuha maqedonase janë të mbrojtura në nivel evropian, ndërsa çështjet dypalëshe janë mbajtur jashtë legjislacionit të BE-së. Sipas Deralës, sulmet e vazhdueshme ndaj ish-ministrit fshehin jo vetëm dështimin e pushtetit për ta vazhduar procesin, por edhe një narrativë të thellë nacionaliste dhe antievropiane.

Back To Top