Qytetarët dhe banorët e zonës së Çairit kanë ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Drejtorit të Parqeve, duke e kritikuar ashpër për mungesë të theksuar angazhimi në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Sipas reagimeve të tyre, në një kohë kur ai është parë duke marrë pjesë në aktivitete relaksuese dhe piknik, parku te hyrja e Gazi Babës, pranë shkollës “Tefejuz”, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe të papranueshme.
Banorët thonë se hapësira është e lënë pas dore prej kohësh, me mbeturina, gjelbërim të pakontrolluar dhe pajisje të dëmtuara, duke e bërë të vështirë dhe të pasigurt përdorimin e saj nga fëmijët dhe familjet.
“Është e papranueshme që drejtori të merret me aktivitete personale, ndërsa parqet që ka nën përgjegjësi janë në këtë gjendje,” thonë qytetarët e revoltuar.
Ata kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe reagim urgjent, duke theksuar se menaxhimi i hapësirave publike nuk duhet të lihet në neglizhencë, ndërsa problemet vazhdojnë të grumbullohen pa zgjidhje.
