“E keni kënaqur ju atje, ç’po vini këtu?” – Mërgata shpërthen ndaj VLEN-it
Një takim i paralajmëruar i përfaqësuesve të VLEN-it me mërgatën shqiptare në Wil të Zvicrës ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Në posterin e aktivitetit bëhet e ditur se më 5 shtator do të marrin pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, si dhe deputetja Imerlje Saliu. Takimi është paraparë të mbahet në hapësirat e një xhamie në Wil.
Por paralajmërimi i aktivitetit është pritur me kritika nga disa mërgimtarë. Një nga pyetjet që përsëritet në komente është se çfarë do t’u thonë VLEN-i mërgimtarëve, ndërsa kritikët pretendojnë se gjatë qeverisjes së tyre janë mbyllur shkolla në gjuhën shqipe.
“Çfarë do t’i thoni mërgatës që keni mbyllur shkollat, a do ua tregoni turpin ju qoftë?”, shkruan një komentues.
Krahas kësaj, komentuesit kanë shprehur pakënaqësi edhe për faktin se aktiviteti është organizuar në hapësirat e xhamisë, duke ngritur pyetjen: “A xhami jeni apo parti politike?”
Ndërkohë, një tjetër koment i drejtohet drejtpërdrejt organizatorëve: “E keni kënaqur ju atje, ç’po vini këtu?”
Reagimet kanë hapur debat në rrjetet sociale rreth takimit të paralajmëruar dhe përdorimit të hapësirave të xhamisë për një aktivitet ku marrin pjesë zyrtarë politikë.
