Pas humbjes në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, Haqim Ramadani rikthehet në fokus të opinionit publik, por kësaj radhe jo për aktivitet politik, por për një punësim të diskutueshëm në Komunën e Çairit, ku sipas të dhënave figuron me një pagë rreth 60 mijë denarë.
Ky zhvillim ka nxitur reagime dhe akuza nga qytetarë dhe analistë, të cilët e shohin këtë si një rast tipik të “rehatimit” politik pas zgjedhjeve. Sipas tyre, nga një kandidat aktiv që kërkonte besimin e qytetarëve, Ramadani tashmë është sistemuar në një pozitë institucionale pa u bërë e qartë se cili është kontributi i tij konkret.
Në të njëjtën kohë, në qendër të kritikave është vënë edhe Izet Mexhiti, për të cilin thuhet se ka rol në këtë punësim, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë sqarim zyrtar. Heshtja e tij vetëm sa ka shtuar dyshimet për marrëveshje politike dhe punësime partiake prapa skenës.
Qytetarët kërkojnë transparencë të plotë: çfarë detyre ushtron saktësisht Haqim Ramadani në Komunën e Çairit, a është kjo pozitë e fituar në mënyrë meritore dhe si justifikohet paga prej 60 mijë denarësh?
Rasti po shihet si një tjetër shembull i praktikave të vjetra politike, ku figurat që dështojnë në zgjedhje, “shpërblehen” me poste në institucione publike – ndërsa përgjegjësia dhe meritokracia mbeten në plan të dytë.

