ISENI: NUK KËRKOJMË PRIVILEGJE – POR ZBATIM E TË DREJTAVE

Mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kanë protestuar ditët e fundit duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që u garanton të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase.

Kjo çështje ka rikthyer debatin për barazinë dhe zbatimin e ligjit, ndërsa nga lëvizja studentore theksohet se nuk bëhet fjalë për kërkesa të reja, por për të drejta ekzistuese që duhet të zbatohen pa vonesa.

Iseni, pjesë e organizatorëve të protestës, thekson se kjo nuk është çështje negociatash, por detyrim institucional. Sipas tij, ligji për përdorimin e gjuhëve e rregullon qartë këtë çështje dhe nuk lë hapësirë për interpretime të tjera.

“Ne nuk kërkojmë një të drejtë të re, por kërkojmë zbatimin e një të drejte që tashmë ekziston. Nuk jemi para një debati për të sjellë ligj të ri, por para një detyrimi për të zbatuar atë që është në fuqi,” thekson ai.

Ai shton se problemi real qëndron te pabarazia që krijohet në momentin kur provimi zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, duke i vendosur studentët shqiptarë në disavantazh.

“Në këtë mënyrë nuk matet vetëm njohuria profesionale, por studentët vendosen edhe në një testim gjuhësor, çka krijon pabarazi reale,” thekson Iseni.

Sipas tij, kjo nuk është vetëm një betejë e momentit, por një çështje që prek edhe brezat e ardhshëm, pasi çdo padrejtësi e pazgjidhur sot, rrezikon të trashëgohet nesër.

Në fund, ai apelon që institucionet të reagojnë sa më shpejt dhe të mos e zvarrisin më tej këtë çështje, duke theksuar se kur një kërkesë kaq bazike mbetet pezull për vite, problemi nuk është vetëm te interpretimi i ligjit, por te mungesa e vullnetit dhe seriozitetit institucional.

Back To Top