Shkup, 16 nëntor 2026 – Iskra Haxhi Vasileva ka marrë zyrtarisht drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke pasuar në këtë detyrë Islam Abazin, të cilit i ka përfunduar mandati katërvjeçar.
Dorëzim-pranimi i detyrës u realizua sot në ambientet e Prokurorisë, ku Islam Abazi ia dorëzoi zyrtarisht funksionin pasardhëses së tij. Pas përfundimit të ceremonisë, Haxhi Vasileva dhe Abazi zhvilluan edhe një takim me kryeprokurorin e shtetit, Nenad Saveski.
Haxhi Vasileva u zgjodh në këtë pozitë më 28 tetor 2026, në një proces votimi të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga prokurorët publikë në vend. Ajo siguroi 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme, duke lënë pas kandidatin Trajçe Pelivanov, i cili mori 57 vota.
Në garë për drejtimin e këtij institucioni morën pjesë gjithsej pesë kandidatë: Iskra Haxhi Vasileva, Trajçe Pelivanov, Faton Azizi, Jovan Cvetanovski dhe Lidija Raiçeviq.
Emërimi i saj u konfirmua nga Këshilli i Prokurorëve Publikë më 5 nëntor, ndërsa vendimi hyri në fuqi më 14 nëntor 2026. Në të njëjtën kohë, u vendos që Islam Abazi të sistemohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Gostivar.
Prioritetet e drejtueses së re
Pas zgjedhjes dhe dhënies së deklaratës solemne para Këshillit të Prokurorëve Publikë, Haxhi Vasileva bëri të ditur se prioritetet e saj kryesore do të jenë ndjekja efikase penale, organizimi më funksional i punës së Prokurorisë dhe shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve në dispozicion.
Ajo theksoi se është e vetëdijshme për kufizimet me të cilat përballet institucioni, por paralajmëroi angazhim për sigurimin e burimeve shtesë dhe përdorimin më efikas të resurseve ekzistuese.
Vëmendje e veçantë, sipas saj, do t’u kushtohet rasteve që prekin interesin publik dhe kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe shoqërinë.
Ndër sfidat kryesore të institucionit mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht në një periudhë kur raportet ndërkombëtare vazhdojnë të evidentojnë mungesë progresi të mjaftueshëm në këtë fushë.
Iskra Haxhi Vasileva është drejtuesja e re e një institucioni me kompetenca në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
Me marrjen e detyrës, ajo nis mandatin katërvjeçar në krye të Prokurorisë, nga e cila priten rezultate konkrete, transparencë dhe efikasitet më i madh në trajtimin e rasteve të rëndësishme për interesin publik.
