Një përplasje politike mes dy këshilltarëve komunalë në Kumanovë ka përfunduar në procedurë gjyqësore, pasi këshilltari i VLEN-it, Skender Osmani, ka ngritur padi për shpifje ndaj këshilltarit të Frontit Europian, Huzeir Mustafi.
Sipas Huzeir Mustafit, kolegu i tij gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar ndërtimin e dy çerdheve në fshatin Çerkez, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë shenjë konkrete për realizimin e këtij premtimi. Kjo çështje u ngrit edhe në një nga seancat e Këshillit Komunal, ku Huzeir Mustafi e kritikoi publikisht mosrealizimin e premtimit.
Në debat është përfshirë edhe një video propaganduese e publikuar gjatë fushatës zgjedhore, në të cilën Skender Osmani flet për ndërtimin e dy çerdheve në Çerkez. Pikërisht kjo video po shpërndahet në rrjetet si argument se premtimi ka ekzistuar dhe është bërë publikisht para qytetarëve.
Ndërkohë, Mustafi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke bërë të ditur se nuk ka ndërmend të kërkojë falje dhe as të tërhiqet nga deklaratat e tij, pavarësisht kërkesës së dërguar nga avokatja e Skender Osmanit.
Ai thekson se është urdhëruar të kërkojë falje publike dhe të tërhiqet nga deklaratat e bëra gjatë seancës së pyetjeve të këshilltarëve më 26 mars 2026, por shton se do të vazhdojë të qëndrojë pas asaj që ka deklaruar.
