Një deklaratë e Krenar Sllovës ka shkaktuar reagime në kampin politik shqiptar, pasi zëvendëskryetari i Komunës së Dibrës ka shprehur hapur nostalgji për periudhën kur subjektet politike vepronin të ndara.
“Ishim më mirë kur ishim të ndarë – Lëvizja Besa”, ka shkruar Sllova, në një mesazh që mund të lexohet si kritikë ndaj mënyrës se si po funksionon sot koalicioni VLEN.
Deklarata vjen në një kohë kur brenda VLEN-it janë shfaqur debate dhe pakënaqësi rreth funksionimit të koalicionit dhe raporteve mes subjekteve që e përbëjnë atë.
Mesazhi i Sllovës ngre pikëpyetje nëse bashkimi politik ka përmbushur pritshmëritë e atyre që e mbështetën dhe nëse modeli aktual po sjell rezultatet e premtuara.
Për shumëkënd, shprehja “Ishim më mirë kur ishim të ndarë” përbën një nga kritikat më të drejtpërdrejta të ardhura nga brenda strukturave të VLEN-it ndaj rrugëtimit të koalicionit.
