Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka ngritur akuza të forta ndaj koalicionit VLEN, duke e lidhur qasjen e tij ndaj gjuhës shqipe dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve me politikat e VMRO-së.
Osmani shprehet se VMRO ka ardhur me një projekt politik për të zvogëluar peshën kombëtare të shqiptarëve në shtet, ndërsa sipas tij, VLEN, në vend që ta kundërshtojë këtë qasje, po e asiston atë.
Sipas Osmanit, problemi nuk qëndron vetëm te pafuqia politike e VLEN-it për të reaguar, por edhe te bindjet e një pjese të udhëheqjes së tij. Ai thotë se disa prej tyre nuk e shohin gjuhën, flamurin dhe përfaqësimin etnik si çështje me rëndësi.
“VMRO ka ardhur me projektin e vet për ta zvogëluar peshën kombëtare të shqiptarëve në shtet. Ndërsa VLEN, në vend që ta kundërshtojë, i del përpara me bindjet e veta”, thekson Osmani.
Ai paralajmëron se bashkimi i këtyre qasjeve mund të jetë arsyeja pse, sipas tij, goditjet ndaj barazisë dhe elementeve kombëtare shqiptare po kalojnë pa kundërshtim të mjaftueshëm politik.
“Kam frikë se nuk është vetëm pafuqia e VLEN-it. Është edhe bindja e tyre”, shprehet Osmani.
