Neglizhenca dhe arsyetimet e kota të sotme do të na sjellin pasoja serioze pas 10 apo 15 vitesh.
Nëse nga 310 të pranuar në Akademinë e Policisë, vetëm 9 janë shqiptarë, ndërsa në Akademinë Ushtarake numri i shqiptarëve është simbolik dhe jashtëzakonisht i ulët, atëherë duhet të pyesim veten: çfarë kuadri shqiptar do të kemi pas 15 vitesh?
Ku do të jenë komandantët shqiptarë të stacioneve policore në Mateç e Bellanoc të komunës së Likovës?
Ku do të jenë kuadrot shqiptare në kazermën e Tetovës, në batalionet e Brigadës së Parë, në Logjistikë dhe në strukturat e tjera të sigurisë e ARM?
Sepse kuadrot nuk krijohen brenda natës. Ato ndërtohen sot për të udhëhequr nesër.
Dhe pas 15 vitesh, kur të ankohemi se “nuk kemi kuadro shqiptarë”, pyetja duhet të jetë:
Kush nuk i krijoi? Kush nuk insistoi? Kush heshti kur duhej të vepronte?
Kjo nuk është çështje e një konkursi apo e disa vendeve të punës. Është çështje e përfaqësimit dhe interesit strategjik të shqiptarëve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Lëshimet e sotme të kësaj garniture qeverisëse nesër do të kthehen në një problem shumë më të madh.
Sot ndërtohet e ardhmja. Heshtja sot, nesër do të paguhet shtrenjtë.
Elfete Ismaili, ish Zv.ministre në ministrinë e Mbrojtjes.
