Këshilltarët e BDI-së në Çair propozojnë që rrugët të mbajnë emrat e Komandant Telit dhe dëshmorit Zekiria Hasani
Shkup – Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Këshillin e Komunës së Çairit kanë iniciuar procedurën për riemërtimin e disa rrugëve në komunë, duke propozuar që ato të mbajnë emrat e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Sipas propozuesve, iniciativa synon të nderojë sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë, barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke ruajtur në të njëjtën kohë kujtesën historike për brezat e ardhshëm.
“Emërtimi i rrugëve me emrat e dëshmorëve nuk është vetëm një akt simbolik, por një detyrim moral dhe institucional ndaj atyre që sakrifikuan gjithçka për paqen, lirinë dhe të drejtat që gëzojmë sot”, theksojnë nga BDI.
Nga kjo parti vlerësojnë se hapësirat publike duhet të pasqyrojnë historinë dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar bashkëjetesa dhe paqja në vend, duke nënvizuar se kontributi i dëshmorëve të UÇK-së përbën një pjesë të pandashme të historisë më të re të vendit.
Propozimi pritet të shqyrtohet në procedurat e mëtejshme institucionale, në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat përkatëse për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve në nivel lokal.
Kujtesa kolektive, respekti ndaj sakrificës dhe ruajtja e identitetit historik mbeten vlera që duhet të kultivohen përmes institucioneve dhe hapësirave publike, vlerësojnë iniciuesit e kësaj nisme.
