KOMUNA E ÇAIRIT HEQ SLOGANIN E TË RINJVE: “TI BËJMË SHQIPTARËT PËRSËRI ZOT SHTËPIE?”

Një slogan i vendosur nga aktivistët e rinj në Çair “Ti bëjmë shqiptarët përsëri zot shtëpie” është larguar nga Komuna e Çairit vetëm pak ditë pasi ishte vendosur në hapësirë publike.

Slogani, që sipas të rinjve kishte karakter motivues dhe qytetar, u hoq nga shërbimet komunale pa asnjë shpjegim publik. Veprimi ka shkaktuar reagime në rrjete sociale, ku shumë qytetarë pyesin pse një mesazh që synon fuqizimin dhe vetëbesimin e shqiptarëve konsiderohet problematik.

Ironia, sipas kritikëve, është se kjo ndodh nga një strukturë politike që së fundmi ka propozuar për zëvendësministër të arsimit një person që vjen nga familja e një figure e cila dikur i quante aktivistët shqiptarë në Kosovë “irredentistë”.

Për shumë qytetarë, ky kontrast flet vetë: një slogan jo-partiak që fton shqiptarët të ndihen zot në vendin e tyre hiqet menjëherë, ndërsa në të njëjtën kohë promovohen figura që historikisht kanë përdorur gjuhë kundër aktivizmit shqiptar.

Në këtë kontekst, largimi i sloganit në Çair po interpretohet si përpjekje për të shmangur çdo mesazh që mund të shihet si afirmim i identitetit dhe dinjitetit shqiptar – ndoshta edhe për të mos krijuar “parehati” në qendrat e pushtetit.

Për aktivistët që e vendosën mesazhin, pyetja mbetet e thjeshtë:
nëse edhe një thirrje për dinjitet dhe vetëbesim konsiderohet problem, atëherë çfarë lloj mesazhi është i pranueshëm për Komunën e Çairit?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top