Kronika e një mashtrimi politik – nga “играч” në “питач”
Ky është realiteti i hidhur i mijëra shqiptarëve që besuan se VLEN-i do të sillte ndryshimin. Partia që humbi zgjedhjet në bllokun shqiptar, por hyri në Qeveri, u premtoi shqiptarëve dinjitet, përfaqësim dhe një jetë më të mirë. Sot, shumë prej atyre që e besuan atë premtim ndihen si qiraxhinj në shtëpinë e tyre.
Një shok, pak para zgjedhjeve lokale, ma tha me entuziazëm:
– Nuk dua më të jem me BDI-në. Atje isha vetëm “набљудувач” (vëzhgues). Tash jam me VLEN-in. Tash jam bërë “играч” (lojtar).
Kaluan zgjedhjet. Kaluan muajt. U takuam përsëri.
– E, si po shkon loja? – e pyeta.
Më shikoi, buzëqeshi me atë buzëqeshjen e hidhur që ta fal vetëm zhgënjimi dhe ma ktheu:
– Loja mbaroi… tash jemi bërë “питач” (lypës).
Dhe ndoshta, në asnjë analizë politike nuk është përshkruar më mirë gjendja e sotme.
Sepse kur premtimet shiten si ndryshim, ndërsa realiteti sjell nënshtrim; kur flitet për dinjitet, ndërsa njerëzit presin favore; kur të premtojnë se do të bëhesh lojtar, por përfundon duke lypur atë që dje e kishe me meritë, atëherë nuk kemi të bëjmë me ndryshim. Kemi të bëjmë me mashtrim politik.
Në fund, mbetet vetëm një slogan i ri, i përshtatur me realitetin:
Voto VLEN… nga “играч”, në “питач”.
