Kryeministri Rama nxjerr sërish karrige para zyrës, bën thirrje për dialog

Kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish karrige sot më 21 tetor përpara zyrës së tij.

Kreu i qeverisë bëri sërish thirrje për dialog. “Dialog”, shkruhet në letrat e vendosura në karrige nga numri një i qeverisë.

Rama deklaroi se mund të ketë 1001 arsye për të protestuar, por se asnjëra nga ata nuk e justifikon dhunën.

“Mund të ketë 1001 arsye për të protestuar, por se asnjëra nga ata nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun mes njerëzve që ndajnë të njëjtin atdhe. Dialogu mes njerëzve që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët.

Është dialog që duan të njëjtën gjë në fund të fundit, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme. Dhuna është krim që ndëshkohet. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe që mendojnë ndryshe nga shumica e terrorizuar nga trysnia e dhunës. Çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shpejt e më mirë, bëhet vetëm me punë, bëhet me të ardhurat nga puna.

Çdo gjë bëhet më mirë duke dërguar të ardhurat aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje. Distancohuni nga dhuna dhe çdo dhunues do të marrë përgjigjen. Përgjigja nuk do të vonojë, përgjigja do jetë ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve, liria e askujt nuk mund të vijojë, aty ku nis liria e tjetrit. Duhet të jetojmë nën bashkëjetesën demokratike dhe nën bashkëjetesën paqësore”, deklaroi Rama.

Edhe gjatë ditës së djeshme, kryeministri vendosi karrige jashtë zyrës së tij dhe mbishkrimet “Dialog”. Rama theksoi se qeveria është e hapur për dialog pa kushte, “Dialog pa kushte kudo dhe kurdo, jo me ata që bëjnë dhe nuk distancohen nga dhuna”

Me gurin që mban në dorë prej tre ditësh, simbolin e protestës me të cilin është goditur policia dhe institucionet, Rama mendon se ai është objekti që ndan dy anët e zhvillimeve të fundit.

“E kam marrë përsëri me vete këtë gur sepse kur e mban në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie dhe përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar e për të marrë në mbrojtje qytetarët e vet, ata që duan të shkojnë në punë, në shkollë, të rrisin fëmijët në një mjedis të sigurt dhe për të marrë në mbrojtje të ardhmen e vendit”.

Kryeministri pohoi se po shqyrtojnë propozimin e disa vendeve të BE-së, që janë përballur me të njëjtën valë protestash rinore, për ndryshimin e Kodit Penal dhe uljen e moshës së përgjegjësisë penale për të miturit që përfshihen në akte dhune.

Back To Top