Qytetarët që këto ditë shkojnë për të marrë dërgesat e tyre në “Posta 2”, po përballen me probleme dhe po kthehen pa i marrë ato. Për të tretën ditë radhazi, nuk mund të tërhiqen dërgesa të ndryshme postare, përfshirë letrat e rekomanduara, postën gjyqësore dhe dërgesa të tjera, ndërsa sipas raportimeve, përjashtim bëjnë dërgesat nga Temu.
Ajo që bie në sy është se Posta nuk ka publikuar një njoftim zyrtar për qytetarët lidhur me problemin, duke lënë pa përgjigje shumë prej atyre që kanë shkuar për të marrë dërgesat e tyre.
Në të njëjtën kohë, nga 19 deri më 21 tetor, delegacioni i Postës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga drejtori i përgjithshëm Orhan Kurtishi dhe drejtuesi i Sektorit për Çështje Ekonomike dhe Financiare, Ismail Mislimi, ndodhet në Zvicër, ku merr pjesë në sesionin e Këshillit për Operacionet Postare të Unionit Postar Universal.
Sipas njoftimit të publikuar, pjesëmarrja e delegacionit ka për qëllim diskutimin për përmirësimin dhe avancimin e sektorit postar.
Kështu, në kohën kur qytetarët përballen me pamundësi për të marrë edhe dërgesa të rëndësishme, përfshirë postën gjyqësore, drejtuesit e institucionit janë jashtë vendit për një takim ndërkombëtar.
