Maqedonia e Veriut, i vetmi shtet në europë që votoi kundër mbështetjes për refugjatët palestinezë – VLEN ka turpëruarçdo shqiptar

Maqedonia e Veriut është i vetmi shtet gjeografikisht evropian që votoi kundër rezolutës së Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e veprimtarisë së UNRWA-së, agjencisë që siguron ndihmë humanitare, arsim dhe shërbime shëndetësore për refugjatët palestinezë.

Në votimin e 18 nëntorit 2026, në Komitetin e Katërt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 143 shtete votuan pro, vetëm 9 kundër dhe 20 abstenuan. Maqedonia e Veriut u rreshtua përkrah SHBA-së, Izraelit dhe shtatë vendeve të tjera kundër rezolutës.

Ky vendim ka nxitur kritika të ashpra ndaj VLEN-it, partnerit shqiptar në Qeveri, për dallimin mes retorikës së mëparshme në mbështetje të palestinezëve dhe politikës që po ndjek Qeveria ku merr pjesë.

Për vite me radhë, përfaqësues të VLEN-it e kanë përdorur çështjen palestineze në paraqitjet e tyre publike, duke shprehur solidaritet me popullin palestinez. Tani, kur janë pjesë e pushtetit, Maqedonia e Veriut voton kundër një rezolute që mbështet agjencinë përgjegjëse për ndihmën ndaj refugjatëve.

Madje, ky nuk është rast i izoluar. Edhe në vitin 2025, Maqedonia e Veriut votoi kundër rezolutave përkatëse të OKB-së për refugjatët palestinezë.

Kritikët e VLEN-it e cilësojnë këtë si hipokrizi politike dhe kërkojnë përgjigje të qarta: A kanë qenë të informuar ministrat e VLEN-it për qëndrimin e shtetit? A janë pajtuar me këtë votë? Dhe si e shpjegojnë dallimin mes deklaratave të tyre publike dhe veprimeve të Qeverisë?

Çështja nuk ka të bëjë me njohjen e Palestinës apo me zgjidhjen politike të konfliktit izraelito-palestinez. Votimi konkret kishte të bënte me mbështetjen e punës së agjencisë së OKB-së që u ofron shërbime jetike refugjatëve.

VLEN tani përballet me një pyetje të thjeshtë: Si mund të kërkosh mbështetje politike në emër të solidaritetit me palestinezët, ndërsa Qeveria ku merr pjesë voton kundër rezolutës për mbështetjen e ndihmës për ta?

Back To Top