Miliona përmes Lotarisë Shtetërore!
Festa e 35-vjetorit të pavarësisë përplasi pushtetin dhe opozitën: LSDM-ja pretendon se Lotaria Shtetërore ka vënë në dispozicion rreth 5 milionë euro, ndërsa Mickoski thotë se festimet nuk i kanë kushtuar asnjë denar buxhetit. Organizimi kaloi përmes një thirrjeje për sponsorizim, ku ofertë kishte vetëm “Stardust”, kompani e lidhur me “Avalon”
Ersan PAJAZITI
Shkup, 10 shtator – Festimet për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut janë shndërruar në përplasje politike për mënyrën e financimit të tyre. LSDM-ja pretendon se rreth 5 milionë euro nga mjetet e Lotarisë Shtetërore janë orientuar për festimet, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski thotë se për koncertet dhe aktivitetet nuk është shpenzuar asnjë denar nga Buxheti i shtetit. Në debat është përfshirë edhe Levica, e cila kërkon sqarime për pagesat e Lotarisë ndaj kompanisë “Stardust”, të lidhur me “Avalon”. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi Qeverinë se po e fsheh mënyrën se si janë siguruar paratë për festimet. Ai tha se deklarata e Mickoskit se festa nuk është paguar me para të qytetarëve bie ndesh me vendimin e Qeverisë dhe dokumentet për organizimin e manifestimeve.
Sipas Filipçes, Qeveria, përmes një vendimi nga seanca e saj, i ka dhënë Lotarisë Shtetërore detyrë që të organizojë festën, ndërsa bëhet fjalë për rreth 300 milionë denarë, ose afërsisht 5 milionë euro. “Përse ishte nevoja që kryeministri të gënjejë dhe të thotë se nuk janë shpenzuar para të popullit për këtë festë?”, tha Filipçe, duke kërkuar që të bëhet e qartë se kush ka vendosur për përdorimin e këtyre mjeteve dhe mbi çfarë kriteresh.
Sipas tij, paratë e Lotarisë, edhe nëse nuk janë tërhequr drejtpërdrejt nga Buxheti, janë mjete të një shoqërie në pronësi shtetërore dhe për këtë arsye qytetarët kanë të drejtë të dinë se si janë përdorur. Filipçe e zhvendosi debatin edhe te destinimi i mjeteve. Ai pyeti pse paratë nga dividenta e Lotarisë nuk janë përdorur për subvencione për bujqit, për shëndetësi dhe barna, për përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, për ndihmë sociale, rritje të pagës minimale apo pensioneve. “Përse paratë e qytetarëve nuk janë destinuar për diçka tjetër?”, tha lideri i LSDM-së.
Nga Qeveria, ndërkohë, qëndrimi është i kundërt. Kryeministri Mickoski tha se festimet për 35-vjetorin e pavarësisë nuk janë paguar nga Buxheti i shtetit. Sipas tij, koncertet dhe aktivitetet janë realizuar me mbështetje nga kompanitë dhe sponsorët, ndërsa për qytetarët dhe Buxhetin kostoja ka qenë zero denarë. Ky qëndrim u përsërit edhe pas përfundimit të programit të festimeve.
Megjithatë, pikërisht mënyra e financimit përmes Lotarisë Shtetërore është ajo që ka hapur dilemat e reja. Festimet nuk u organizuan si një aktivitet i vetëm në Shkup. Programi zgjati më shumë se një muaj dhe përfshiu 11 qytete, ndërsa në kuadër të tij u organizuan koncerte dhe aktivitete kulturore, me emra ndërkombëtarë si Steve Aoki, José Carreras dhe David Guetta. Programi zyrtar i festimeve parashikonte aktivitete nga 2 gushti deri më 8 shtator. Në këtë skemë, Lotaria Shtetërore ka pasur rol qendror në organizim. Sipas informacioneve të publikuara, Qeveria i ka dhënë Lotarisë detyrën për realizimin e aktiviteteve, ndërsa më pas Lotaria ka publikuar thirrje për mbledhjen e ofertave. Në procedurë është paraqitur vetëm një ofertues – “Stardust”, kompani e lidhur me “Avalon”, e cila më pas ka marrë angazhimin për organizimin e programit.
Përplasja për festimet nuk ishte vetëm rreth parave. Programi i shënimit të 35-vjetorit u kritikua edhe për mungesën e elementit shqiptar. BDI-ja, në një reagim më 5 shtator, akuzoi Qeverinë se gjuha shqipe ishte anashkaluar në organizimet shtetërore për përvjetorin.
“Asnjë fjalë. Asnjë shkronjë. Asnjë shenjë”, reagoi partia e Ali Ahmetit, duke pretenduar se shqiptarët janë lënë jashtë nga mënyra se si është konceptuar shënimi i përvjetorit. BDI-ja e lidhi këtë kritikë edhe me ndarjen e çmimeve shtetërore “8 Shtatori”, ku, sipas saj, nuk u vlerësua asnjë shqiptar. Kritikat e BDI-së u drejtuan edhe ndaj VLEN-it, të cilin partia e akuzoi se ka heshtur përballë asaj që e konsideron përjashtim të shqiptarëve nga ceremonitë shtetërore. Në këtë kontekst, festa e 35-vjetorit u shndërrua në debat jo vetëm për mënyrën e financimit dhe miliona eurot e pretenduara nga opozita, por edhe për mënyrën se si është përfaqësuar karakteri multietnik i shtetit në manifestimet zyrtare.
