Mlladiqi ndez krizën në Qeveri: A do t’i kërkojë Bekim Sali Mickoskit dorëheqjet?

Publikimet e lidhura me Ratko Mlladiqin kanë shkaktuar reagime të ashpra në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kërkesat për përgjegjësi politike dhe institucionale po shtohen.

Debati nisi pas publikimit të drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, i cili në rrjetet sociale publikoi një fotomontazh ku Ratko Mlladiqi paraqitet së bashku me liderin çetnik Draža Mihailoviq dhe figura të tjera, me mbishkrimin “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”.

Ratko Mlladiqi është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Pas publikimit, reaguan disa parti politike. VLEN e dënoi glorifikimin e Mlladiqit dhe kërkoi përgjegjësi, ndërsa LSDM dhe BDI kërkuan që të ketë masa konkrete ndaj funksionarëve të përfshirë.

Edhe LDP kërkoi që institucionet kompetente të shqyrtojnë nëse publikimet përmbajnë elemente për përgjegjësi sipas Kodit Penal.

Në këtë situatë, vëmendja tashmë është edhe te zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, si një nga figurat shqiptare në Qeveri.

Pyetja që po shtrohet është: A do t’i kërkojë Bekim Sali kryeministrit Hristijan Mickoski dorëheqjet e dy funksionarëve, apo kjo çështje do të mbetet vetëm në nivel të deklaratave politike?

Nëse VLEN e konsideron të papranueshëm glorifikimin e një personi të dënuar për gjenocid dhe krime lufte, atëherë pritet të shihet nëse qëndrimi do të pasohet edhe me veprime konkrete brenda Qeverisë.

Tani përgjegjësia politike është në tavolinë, ndërsa opinioni publik pret të shohë nëse Bekim Sali do të kërkojë nga Mickoski masa konkrete dhe dorëheqje, apo do të mjaftohet vetëm me distancim politik.

Back To Top