Pas njoftimit për dorëheqjen e Bashkim Murtezit nga funksioni i përgjegjësit të Komisionit Kadrovik në VLEN, kanë nisur reagimet dhe spekulimet për arsyet që çuan deri te ky vendim.
Aktivistja Nafie Selmani ka publikuar një reagim në Facebook, ku ngre pyetje dhe pretendon se dorëheqja mund të ketë ardhur pasi Bekim Sali ia ka marrë kompetencat Murtezit në sekretariatin e kadrovikut.
Në reagimin e saj, Selmani shkruan:
“A është e vërtetë se pasi Bekim Sali ia mori kompetencat Bashkim Murtezit në sekretariatin e kadrovikut, ky i fundit ka dhënë dorëheqje?”
Ajo rikujton edhe përplasjet e mëhershme mes Zeqirija Ibrahimit, Bashkim Murtezit dhe Mesut Bajramit, duke pretenduar se ky i fundit në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur kishte marrë më shumë vota sesa Alternativa në Kumanovë.
Në fund të reagimit, Selmani hedh akuza të ashpra ndaj drejtuesve të VLEN-it, duke pyetur nëse “karma po funksionon” ndaj atyre që, sipas saj, “shkelën mbi angazhimin dhe kontributin e njerëzve më meritorë vetëm për të ardhur në pushtet.”
Deri në këtë moment, Bekim Sali dhe përfaqësues të VLEN-it nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve.
