“Nëse menduat se e ndalëm, gabuat”: studentët shqiptarë paralajmërojnë protestën e dytë”

Pas protestës së parë, studentët shqiptarë të drejtësisë thonë se institucionet nuk kanë ofruar zgjidhje konkrete, por vetëm premtime politike pa asnjë rezultat në terren. Sipas tyre, çështja e provimit profesional në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet e pazgjidhur, pavarësisht deklaratave publike nga zëvendëskryeministri Bekim Sali, si dhe kryetarët e komunave Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, të cilët kishin premtuar ndërhyrje dhe zgjidhje të shpejtë.

Në proces është përfshirë edhe Avokati i Popullit, i cili ka dërguar shkresë zyrtare në Qeveri, ndërsa është paralajmëruar formimi i një grupi pune. Megjithatë, studentët theksojnë se deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

“Premtime pati shumë, por rezultate nuk ka. Asnjë vendim, asnjë ndryshim dhe asnjë afat i qartë,” deklarojnë organizatorët e protestës.

Pas sinjaleve të para nga Kumanova dhe mobilizimit të studentëve në disa qytete, po paralajmërohet organizimi i protestës së dytë, me mesazhin se kërkesa e tyre nuk është politike, por e drejtë elementare për përdorimin e gjuhës amtare në provimin profesional.

Back To Top