Nga i dënuar në drejtor burgu: Kush është Oliver Stankovski?
Nga i dënuar me burg në drejtues të një burgu – ky është rasti i Oliver Stankovskit, emri i të cilit, sipas informacioneve të publikuara nga PortaliX, shfaqet në dokumente zyrtare që datojnë prej vitit 1998.
Sipas informacioneve të publikuara nga PortaliX, çështja e Stankovskit daton që në vitin 1998, kur ai ka qenë në paraburgim për veprën penale “Rrëmbim”.
Vite më vonë, në dhjetor të vitit 2006, Stankovski ka filluar vuajtjen e dënimit me burg. Në shkurt të vitit 2007, për arsye sigurie, ai është transferuar në repartin e burgut në Kriva Pallankë, ku ka qëndruar deri në prill.
Emri i tij shfaqet sërish në një dokument zyrtar në vitin 2016.
Në “Gazetën Zyrtare” nr. 222, të datës 28 dhjetor 2016, në vendimin për faljen e personave të dënuar të atëhershëm presidentit Gjorgje Ivanov, në numrin rendor 21 figuron “Oliver Branko Stankovski nga Kumanova”. Sipas vendimit, ai është liruar pjesërisht nga vazhdimi i vuajtjes së dënimit me burg, në kohëzgjatje prej katër muajsh. (Слвесник)
Rreth tre dekada pas paraburgimit të parë, Stankovski tashmë është emëruar për të drejtuar një burg.
Por, sipas PortaliX, historia nuk përfundon këtu.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediumi, ndaj Stankovskit ekziston edhe një kallëzim që lidhet me një keqpërdorim të pretenduar të automjetit zyrtar. Statusi aktual i këtij rasti, megjithatë, duhet të konfirmohet nga institucionet kompetente.
Dy vjet më parë, Qeveria veproi ndryshe
Rasti rikthen në vëmendje edhe emërimin e Ibrahim Eljezit në korrik të vitit 2024.
Ai ishte propozuar si ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit në sistemin e burgjeve, por pasi në opinion u publikuan informacione se më parë kishte vuajtur dënim me burg, Qeveria njoftoi se, pas “verifikimeve shtesë”, propozimi nuk ishte pranuar dhe Eljezi nuk e mori detyrën.
Pikërisht këtu lindin pyetjet për rastin e Stankovskit:
A ishte Qeveria në dijeni për dënimin e tij të mëparshëm dhe faljen para emërimit në krye të Burgut të Shkupit?
A janë bërë verifikime edhe për informacionet që lidhen me kallëzimin për automjetin zyrtar?
Dhe pse një dënim i mëparshëm me burg ishte pengesë për emërimin e Eljezit në vitin 2024, ndërsa në rastin e Stankovskit nuk rezultoi i tillë?
PortaliX ka tentuar të kontaktojë edhe me Stankovskin për të marrë përgjigje lidhur me këto informacione, por deri në publikimin e artikullit ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.
PortaliX njofton se do të kërkojë përgjigje edhe nga Qeveria dhe Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.
