Nga një figurë që dikur publikisht kërkonte punë në sektorin privat, sot Haqim Ramadani rezulton i punësuar në Komuna e Çairit me një pagë që arrin rreth 60 mijë denarë në muaj.
Transformimi i tij ka ngritur pikëpyetje dhe reagime në opinionin publik, sidomos për shkak të deklaratave të mëhershme ku Ramadani theksonte se kërkonte ekskluzivisht punë në sektorin privat, duke kritikuar indirekt punësimet në administratë.
Sipas burimeve jozyrtare, angazhimi i tij në komunë lidhet me zhvillimet e fundit politike në nivel lokal dhe afrimin me strukturat drejtuese në Çair. Kritikët e shohin këtë si një shembull klasik të “rehatimit” përmes lidhjeve politike, ndërsa mbështetësit e tij pretendojnë se bëhet fjalë për një punësim të merituar.
Në qendër të debatit është edhe roli i drejtuesve komunalë dhe mënyra e përzgjedhjes së kuadrove, një temë që vazhdon të shkaktojë përplasje në skenën politike lokale.
