Nga zemra e Shkupit u ngrit thirrja e ndërgjegjes që politika nuk mund ta injorojë më: Dinjiteti gjuhësor vë në provë demokracinë e shtetit!
Studentët protestuan një ditë më parë, në Shkup, me kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Protesta u mbështet gjerësisht nga qytetarë, si edhe nga shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët iu bashkuan kauzës së studentëve.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Trialog”, aktivistja Liridona Beqiri, i konsideroi kërkesat e studentëve legjitime dhe të mbështetura në ligj.
“Ne zemër të Shkupit nuk protestuan vetëm studentët. Protestoi dhe vetë ndërgjegjja qytetare e këtij vendi, protestuan zëra që nuk pranojnë te përkthehen në mosqenie”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se kur një student detyrohet të dëshmojë dijen jashtë gjuhës së tij amtare, nuk vihet në sprovë vetëm profesionalizmi i tij, vihet në sprovë vetë standardi demokratik i shtetit. ‘’Sot është jurisprudenca. Nesër mund të jetë çdo profesion tjetër ku shqiptarit i vendoset një mur gjuhësor përpara karrierës’’ deklaroi Beqiri.
Sipas saj, baza ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe ekziston, por problemi mbetet te mungesa e zbatimit institucional.
”Jam e sigurt që rruga drejt Brukselit do t’a zgjidh këtë çështje, por uroj sa më shpejt dhe pa kosto të vonesave politike. Në çështje që prekin të drejtat kolektive të shqiptarëve, për çdo zë studenti, partitë shqiptare duhet të flasin me një zë, sepse studentët janë dhe duhet të mbeten kontrollori më i ndërgjegjshëm i politikës”, shtoi Beqiri.
