Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i është përgjigjur zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli, duke e akuzuar Qeverinë se me veprimet e saj ka dëmtuar projektin strategjik të Korridorit 8 dhe ka kontribuar në humbjen e mbi 60 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian.
Osmani shprehet se, pavarësisht dallimeve politike, nuk kishte pritur “fyerje dhe nervozizëm” nga Zekolli, ndërsa i uron sukses për takimin e grupit të punës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ai kujton se këto grupe pune ishin iniciuar më shumë se katër vjet më parë gjatë mandatit të qeverisë së kaluar, por sipas tij, puna e tyre u ndërpre pas ndryshimit të pushtetit.
Në reagimin e tij, Osmani drejton akuza të drejtpërdrejta ndaj ministrit të Transportit, Aleksandar Nikollovski, duke pretenduar se ai kishte tentuar të ridrejtonte fondet e destinuara për Korridorin 8, që lidh Shqipërinë me Bullgarinë, drejt Korridorit 10, që lidh Serbinë me Greqinë.
Sipas Osmanit, kjo përpjekje dështoi pasi Korridori 8 është projekt me rëndësi strategjike dhe të sigurisë, i mbështetur nga instanca të larta ndërkombëtare. Megjithatë, ai vlerëson se qasja e Nikollovskit solli pasoja konkrete, duke bërë që vendi të humbasë mbi 60 milionë euro nga fondet IPA, të planifikuara për fazën e dytë të realizimit të projektit.
“Këto mjete janë humbur në mënyrë të pakthyeshme. Ky është fakt, jo gënjeshtër”, thekson Osmani, duke hedhur poshtë pretendimet e përfaqësuesve të Qeverisë se nuk ka pasur humbje të fondeve për Korridorin 8.
Reagimi i Osmanit vjen në vazhdën e përplasjeve politike lidhur me përgjegjësinë për ngecjet në realizimin e Korridorit 8, një prej projekteve infrastrukturore më të rëndësishme për vendin dhe rajonin.
